Shpërblime për të motivuar sa më shumë lojtarët e tyre, kjo ka qenë motoja e tre nga katër skuadrave gjysmëfinaliste të Kupës së Shqipërisë.Vetëm Tirana e Refik Halilit nuk ka deklaruar ndonjë premio për kualifikimin. Dy ditë më parë, presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, ndonëse jo zyrtarisht, ka pohuar premio prej 15 mijë eurosh në rast të kualifikimit për në finalen e Kupës. Lajmi u konfirmua nga burime pranë klubit kuqeblu. Por një ditë më vonë, pra dje, presidenti i Dinamos, Besnik Sulaj ka rritur me 5 mijë euro kuotën, kjo për të kërkuar një impenjim dyfish të bluve të kryeqytetit. Kujtojmë se ndeshja e parë në Shkodër përfundoi me fitoren 2-1 të kuqebluve, por një rezultat i tillë lë në lojë që të dyja skuadrat, duke mos pasur kështu një favorit në këtë përballje. Ndërsa në dyshen tjetër Besa-Tirana, kemi vetëm nga ana e kavajasve një impenjim teorik (kjo edhe për faktin se Besa është në vend të parafundit dhe lufton edhe për mbijetesë) i konvertuar nga një shpërblim 1 milion lekësh (të vjetra) për çdo lojtar në rast kualifikimi. Ndërsa presidenti i Tiranës, Refik Halili, nuk ka preferuar të deklarojë shpërblim, duke pohuar se lojtarët në radhë të parë duhet të luajnë për të ardhmen e tyre dhe për fanellën që mbajnë veshur. Kupa është i vetmi objektiv i klubit bardheblu dhe, në këtë kontekst, presidenti ka kërkuar që ata të japin maksimumin ndaj Besës për të shkuar në finale të këtij kompeticioni.
Haxhiu
“Për momentin, e rëndësishme është se lojtarët që do të hedhë në fushë janë në gjendje shumë të mirë fizike. Kjo është një ndeshje shumë e vështirë, por ashtu si ndaj Bylisit, unë kam bindjen se nuk do të më zhgënjejnë aspak. Sigurisht, ne do të zhvillojmë një lojë sulmuese dhe objektivi i vetëm që kemi, është që të arrijmë kualifikimin. Strategjia jonë do të jetë me një lojë sulmuese, për të kërkuar zhbllokimin e rezultatit sa më shpejt. Unë mendoj që duhet të shënojmë në pjesën e parë, sepse vetëm kështu mund të jemi të qetë. Tirana ka një mbrojtje të mirë, por sulmuesit e mi janë në formë”, ka thënë trajneri i Besës, Gert Haxhiu.
Kerstiçeviç
“Kam probleme në skuadër, pasi disa lojtarë janë të dëmtuar dhe nuk di ende në këto momente (dje, ora 15:00) nëse do t’i kem për ndeshjen e nesërme ndaj Besës. Lilaj, Karabeci, Pejiç, Gvozdenoviç kanë pasur probleme dhe është e kotë që të më pyesni sesi do të luajë, përderisa gjendja e secilit mund të ndryshojë edhe dy orë para takimit. Por, ju siguroj që ne nuk kemi frikë nga Besa. Nëse arbitri do të gjykojë drejt dhe nëse gjendja e fushës do të jetë e mirë, ju siguroj që ne do t’ia arrijmë që të fitojmë edhe në Kavajë. E kundërta, nëse do të kemi probleme arbitrimi, kualifikimi do të jetë i vështirë”, tha trajneri i Tiranës.
Mergjyshi
“Mungesa e Ferrajt (i dëmtuar) është e rëndësishme për formacionin tonë, teksa të hënën në stërvitje është dëmtuar gjatë gjuajtjeve nga pika e bardhë e penalltisë. Është në një gjendje disi të rënduar për këtë ndeshje, por jo për vazhdimësinë e kampionatit. Do të jetë në stol të rezervave, sepse, për momentin, nuk është në kondicionin optimal”, ka thënë trajneri i Dinamos. Ndërkaq, titullar kthehet Bërkiç, kurse Vila ka zënë pozicionin e mesfushorit të majtë dhe Opoku mesfushor i djathtë. Ndërkohë po dje në stërvitje, në një përplasje kokë më kokë me Amburenë, është dëmtuar dhe serbi Marko Putinçanin.
Josa
“Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi punuar që këtij takim t’i japim vlera. Kemi në lojë dy rezultate, por kurrsesi, i kam thënë edhe skuadrës, që nuk do të hymë në fushën e lojës me një qëllim të vetëm për të marrë më të mirën dhe për ta goditur kundërshtarin, në mënyrë që ta ketë më të vështirë për të kërkuar kualifikimin. Unë dhe ekipi jemi të bindur se kemi një rezultat të favorshëm 2-1 të takimit të parë dhe nuk shkojmë me kokën ulur, por shkojmë me këtë fitore dhe për këtë jam i bindur se do të marrin në fund të këtij takimi vetëm një rezultat: kualifikimi për në finale”, ka pohuar trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











