Kundërshtoi dhënien e Çmimit Nobel për Paqen lideres së opozitës venezueliane, dështon padia e Julian Assange

Dec 19, 2025 | 18:45

Pa rezultat ka përfunduar denoncimi i themeluesit të WikiLeaks, Julian Assange, kundër Fondacionit Nobel, i cili i akordoi Çmimin Nobel për Paqen lideres së opozitës venezueliane, Maria Corina Machado.

julian_assange1

Policia suedeze njoftoi se nuk do të hapë hetim, duke e cilësuar padinë si të papranueshme.

Sipas Assange, përzgjedhja e Machados bie ndesh me kushtet e përcaktuara në testamentin e Alfred Nobelit. Ai pretendon se Machado mbështet veprimet armiqësore të presidentit amerikan Donald Trump ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Në padinë e tij, Assange argumentonte se ky vendim përbën, sipas legjislacionit suedez, “keqpërdorim fondesh dhe lehtësim të krimeve të luftës”.

Në një email drejtuar Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP), inspektori i policisë Rikard Ekman deklaroi se padia nuk përmbante asnjë informacion që të çonte në përfundimin se ishte kryer ndonjë vepër penale. “Pasi u vendos që të mos nisë një hetim paraprak, nuk do të zhvillohet asnjë hetim mbi bazën e kësaj padie”, shtoi ai.

Komiteti Norvegjez i Nobelit ia akordoi çmimin Maria Corina Machados për përpjekjet e saj në favor të tranzicionit demokratik në Venezuelë. Assange, nga ana e tij, vlerëson se ky vendim bie ndesh me dëshirat e Alfred Nobelit, i cili në testamentin e tij kishte përcaktuar se çmimi duhet t’i jepet atij që ka ofruar shërbimin më të madh “për vëllazërimin e popujve, heqjen ose reduktimin e ushtrive të përhershme dhe organizimin dhe promovimin e konferencave paqësore”.

Assange kërkoi gjithashtu që të “ngrihej” shuma prej 11 milionë koronash suedeze (rreth 1.18 milionë euro), e cila do t’i jepet Machados.

Shtetet e Bashkuara kanë dislokuar forca të konsiderueshme ajrore dhe detare në Karaibe dhe kanë bombarduar dhjetëra mjete të vogla detare, nën dyshimin se transportonin drogë, duke shkaktuar vdekjen e rreth 100 personave.

Julian Assange u lirua nga një burg britanik në qershor të vitit 2024, pas një marrëveshjeje me autoritetet gjyqësore amerikane, të cilat kërkonin ekstradimin e tij për shkak të publikimit në faqen e tij të internetit të mijëra dokumenteve sekrete të qeverisë amerikane.

© Panorama.al

Te lidhura