Goditjet standarde vazhdojnë të bëjnë diferencën! Premier League tregoi edhe një herë forcën e saj, lojtarët e Realit dominuan listën e golashënuesve

Jul 23, 2026 | 23:00

Ashtu siç është bërë gjithnjë e më e za konshme në futbollin elitar, goditjet standarde edhe një herë rezultuan një burim i rëndësishëm golash në Botërorin 2026. Në total, 38 gola u shënuan nga goditjet e këndit, goditjet e dënimit apo rivëniet e gjata anësore.

mbape

Në përgjithësi, 54 nga 308 golat e turneut erdhën nga situatat standarde, duke përfshirë edhe 16 penallti, çka përbën 17.5 për qind të të gjithë golave të shënuar. Erling Haland (Brazil – Norvegji) ishte pjesë e listës së kandidatëve për Golin e Turneut.

GOLAT NGA DISTANCA, NJË TREND NË RRITJE

Gjuajtjet nga larg rezultuan gjithashtu një mënyrë gjithnjë e më efikase për të çarë mbrojtjet e forta dhe të organizuara. Plot 43 gola u shënuan nga jashtë zonës së rreptësisë, ku 7 erdhën nga goditje të drejtpërdrejta dënimi, ndërsa 36 nga aksione të hapura loje. Kjo përfaqëson 14.6 për qind të të gjithë golave të shënuar gjatë turneut në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada.

Në krahasim, vetëm 8 për qind e golave në Botërorin Katar 2022 erdhën nga jashtë zonës. Shifrat tregojnë një tendencë të re në futbollin modern, ku skuadrat po kërkojnë alternativa për të thyer blloqet e dendura mbrojtëse. “Kur nuk ka hapësira, kur tetë apo nëntë lojtarë ndodhen brenda ose pranë zonës së rreptësisë, atëherë goditjet nga distanca bëhen një zgjidhje ideale”, tha Jurgen Klinsman, anëtar i Grupit të Studimit Teknik të FIFA-s (TSG).

KROSIMET, NJË ARMË E FUQISHME NË SULM

Dërgimi i topit në zonë nga krahët, qoftë përmes krosimeve ajrore apo pasimeve të ulëta, vazhdoi të ishte një nga mënyrat më produktive për të gjetur rrjetën. Në total, 75 gola u shënuan pas situatave me krosime, përfshirë edhe golin që i dha Spanjës titullin botëror. Disa nga momentet më vendimtare të Botërorit erdhën pikërisht nga krosimet.

Lautaro Martínez shënoi golin që dërgoi Argjentinën në finale, Erling Haland realizoi golin hapës ndaj Brazilit, ndërsa Enzo Fernández shënoi golin që kompletoi përmbysjen e Argjentinës ndaj Egjiptit. Në total, krosimet sollën 24 për qind të të gjithë golave të turneut, ose thënë ndryshe, pothuajse një në katër gola.

Kjo statistikë nuk përfshin golat e shënuar direkt nga goditjet standarde, si goditjet e këndit, rivëniet e gjata apo goditjet e dënimit të krosuara. Xhud Belingam (Angli – Francë) ishte gjithashtu në listën e kandidatëve për Golin e Turneut.

LOJTARËT E REALIT TË MADRIDIT DOMINUAN LISTËN E GOLASHËNUESVE

Në renditjen sipas klubeve, Real Madrid përfundoi bindshëm në krye të listës së golashënuesve në Botërorin 2026. Lojtarët e klubit madrilen shënuan së bashku 22 gola: Kilian Mbape me 10 gola, Xhud Belingam 7 gola dhe Vinicius Zhunior 4 gola, Arda Gyler – 1 gol.

Në vendin e dytë u rendit Paris SaintGermain me 15 gola, ndërsa podiumin e kompletoi Arsenal FC me 13 gola. Megjithatë, ishte lojtari i FC Barcelona, Ferran Torres, ai që shënoi golin më të rëndësishëm nga të gjithë, atë që i dha Spanjës triumfin në finalen e madhe ndaj Argjentinës.

PREMIER LEAGUE VENDOS RITMIN

Kampionati më i pasur kombëtar në botë konfirmoi edhe një herë cilësinë e tij. Klubet e Premier League furnizuan më shumë golashënues se çdo kampionat tjetër në Kupën e Botës 2026. Lojtarët që aktivizohen në elitën angleze shënuan 79 nga 308 golat e turneut, duke përbërë 25.6 për qind të totalit.

Pas Anglisë u renditën La Liga (Spanjë) 41 gola, Bundesliga (Gjermani) 25 gola, Ligue 1 (Francë) 23 gola dhe Serie A (Itali), 22 gola. Premier League tregoi edhe një herë forcën e saj, duke qenë kampionati që dha kontributin më të madh me gola në skenën më të madhe të futbollit botëror.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura