
KUKES – Lulishtari më i njohur në Kukës, që nga dje është “Nderi i qytetit”. Vendimi është marrë unanimisht nga këshilltarët në fund të mandatit për Mehmet Lezën, njeriun që i lidhi jetën dhe pasionin e tij për lulet dhe gjelbërimin e qytetit të vjetër të Kukësit dhe më pas Kukësit të Ri. Leza është njeriu që bëri Kukësin me sipërfaqen më të gjelbër për banor në fund të viteve ’80 me 6 metra katror lulishte për banor. Pasioni i tij nis që në Kukësin e Vjetër, me lulishtet pikante të qytetit, që do të humbte nën ujërat e Fierzës në vitin 1978. Leza, që në vitet ’50 kishte në shtëpinë e tij në Kukësin e Vjetër, të parin akuarium me peshq dhe një kopsht të vërtetë botanik. Pas viteve ’60, me fillimin e punimeve për ndërtimin e qytetit të ri, Mehmet Leza është specialisti kryesor dhe ideatori i krijimit të sipërfaqeve të gjelbra në qytetin rekord të luleve. Herë si drejtues dhe herë i rrezikuar, Leza mbajti gjallë “frymën e gjelbër” në qytet, duke qenë simboli i intelektualit specialist dhe prindit shembullor. Ai sot ka një bahçe me lule në shtëpinë e tij, që është e rrallë për nga lloji. Në ditën e dhënies së çmimit ai ka falënderuar gjithë qytetin dhe Bashkinë për nderin që i bënë, ndërsa ka premtuar se edhe në moshën 80-vjeçare do të punojë për ta bërë qendrën e qytetit të Kukësit një model për nga lulet në gjithë vendin. Bashkia e Kukësit ka 14 “qytetarë nderi”, ku 8 janë të huaj që kanë punuar e kontribuuar për qytetin me 25 mijë banorë. j.h











