Kryeministri japonez, Naoto Kan, ka deklaruar dje se situata në vend mbetet emergjente dhe nuk dihet ende se kur do t’i vijë fundi krizës nukleare në Fukushima. “Japonezët nuk rrezikojnë të përballen me nivele të rrezikshme radioaktiviteti nëse ndjekin këshillat e autoriteteve”, tha Kan, në përpjekje për të ruajtur qetësinë të vend, pas publikimit të shifrave alarmuese të radioaktivitetit pranë Fukushimës. Sipas tij, beteja për të rimarrë kontrollin e centralit do të jetë e vështirë, por do të mbarojë me fitore. Ndërkohë, banorët e evakuuar nga zona pranë Fukushimës nuk do të kthehen shpejt në shtëpitë e tyre. Shumë prej mijëra të evakuuarve po jetojnë në strehime të përkohshme dhe kanë kërkuar rikthimin në shtëpitë e tyre, por rreth centralit nuk ka mbrojtje nga radioaktiviteti. Ndërkohë, për gjetjen e trupave të viktimave janë bashkuar edhe skuadrat amerikane. Deri tani janë konfirmuar rreth 11 600 të vdekur, por rreth 17 mijë trupa të tjerë rezultojnë të zhdukur.











