Asnjë konsensus, asnjë marrëveshje, asnjë përfundim për zgjidhjen e krizës së zgjedhjes së Presidentit që ka mbërthyer fort Kosovën, nuk u arrit as dje, pas takimit të liderëve të partive bashkërisht dhe veçmas me përfaqësuesit ndërkombëtarë.Hashim Thaçi (PDK), Behgjet Pacolli (AKR) dhe Isa Mustafa (LDK) u takuan dje me ambasadorin Amerikan, Kristofer Dell dhe përfaqësuesin e BE-së, Piter Feith, duke dështuar sërish të gjenin një gjuhë të përbashkët, siç kishte parashikuar Jakup Krasniqi. Takimet u zhvilluan duke evituar plotësisht median dhe pas përfundimit të tyre, nuk u dha asnjë deklaratë zyrtare. Sipas burimeve të “Express” takimet në Ambasadën Amerikane në Prishtinë kanë vazhduar edhe në orët e vona. Grupet drejtuese të secilës parti janë mbledhur gjatë gjithë këtyre ditëve në mbledhje të jashtëzakonshme dhe kanë dalë me qëndrimet e tyre për zgjidhjen e krizës, ku vetëm një ditë më parë, AKR-ja nxori dokumentin me tri pika, ku evidentohej dëshira për të vazhduar në koalicionin qeverisës dhe kushti i fortë për Pacollin President. Dje, një takim emergjent u mbaj nga PDK-ja, pa praninë e Thaçit, (ai ishte në takim me Pacollin dhe Mustafën), ku kërkesa e LDK-së për zgjedhje të reja brenda një viti, u vlerësua totalisht e papranueshme. Këtë qëndrim mbrojti edhe eurodeputetja, Doris Pack, e cila për më tepër, thjesht idenë e organizimit të zgjedhjeve të reja, e quajti “çmenduri”. Propozimi i LDK-së për kompromisin ishte që koalicioni qeverisës dhe sidomos PDK-ja, të pajtohen që të caktohet edhe data e zgjedhjeve për një afat prej një apo një viti e gjysmë, si dhe ndërkohë të bëhen ndryshime kushtetuese dhe të zhvillohen disa reforma në sistemin zgjedhore. Sipas kreut të Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, kjo kërkesë bie ndesh me Kushtetutën dhe Kosova do të shkonte nga një krizë në tjetrën.
Adem Demaçi pranon të garojë
Adem Demaçi, një nga personalitete më të dashur në Kosovë që nga koha e luftës me Serbinë, tha se do ta pranonte ofertën për t’u bërë President, nëse kjo i kërkohet nga partitë parlamentare. “Mua zyrtarisht askush nuk më ka ofruar, unë vetëm kam përsëritur deklaratat e mia, që gjithmonë jam në shërbim të popullit tim, shtetit tim, kombit tim”, tha Demaçi për REL. Por Demaçi kujtoi se Kushtetuta e Kosovës nuk është hartuar në formën e duhur. “Kriza është rrjedhojë e një Kushtetute që nuk është bërë në mënyrë të rregullt, sepse Kushtetuta është një dokument shumë i rëndësishëm, që duhet të pranohet me referendum me pajtimin e gjithë popullatës, me debat. Aty ka gjëra që s’i ha as qeni”, theksoi Demaçi.
‘Kandidatë’ të tjerë
Dëshirën për garën presidenciale e ka treguar edhe ministri i FSK-së, Agim Çeku, nëse ai arrin të ketë konsensusin e partive. Ndërkohë, Behgjet Pacolli është i pari kandidat zyrtarë për garën e ardhshme presidenciale, e cila nuk është vendosur ende se kur do të kryhet. Megjithatë, ai rrezikon shumë, sepse brenda PDK-së ka preferenca të tjera për kandidatët. Një nga kundërshtarët më të fortë të Pacollit është Jakup Krasniqi, i cili kërkon një president konsensual dhe një tjetër është Fatmir Limaj, i cili deklaroi një ditë më parë se do të preferonte si president Adem Demaçin. Krasniqi propozoi që brenda afatit kushtetues, të ndryshohet Kushtetuta dhe Presidenti i ardhshëm të zgjidhet direkt nga populli. Kandidatja femër e propozuar nga AKR-ja, Novobërdëlliu, nuk ka arritur t’i marrë votat e duhura për të garuar. Nëse LDK-ja do të pranonte të merrte Presidentin dhe të anashkalonte idenë për zgjedhje të reja, një ndër emrat e përfolur si kandidatë të mundshëm për President të Kosovës për një periudhë kalimtare, është përmendur edhe ish-funksionari i periudhës komuniste, Ilaz Ramajli, sipas “KosovaOnline”.
“Tërheqja” e Pacollit
Lajmi se në bisedimet me Thaçin Pacolli ka pranuar të tërhiqet nga gara presidenciale, nuk është konfirmuar zyrtarisht dhe deklarata e mëvonshme nga AKR-ja janë kontradiktore me të.
E përditshmja “Express” ka cituar një diplomat perëndimor t’i ketë thënë se autoritetet vendase dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë aktualisht nuk shohin zgjedhje tjetër të situatës, përveç shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. “Në takimin që ka pasur Hashim Thaçi me Behgjet Pacollin të dielën në darkë, ky i fundit ka pranuar të tërheqë kandidaturën për postin e Presidentit. Ish-kryetari i AKR-së është pajtuar që Kryeministri të nisë përpjekjet për gjetjen e një emri konsensual për postin e shefit të shtetit, në mënyrë që të evitohen zgjedhjet e parakohshme”, citohen burimi ndërkombëtar. “Qëllimi i Thaçit për takimin me Mustafën ka qenë që pas gatishmërisë së Pacollit për t’u tërhequr nga kandidatura dhe kërkesave të vazhdueshme të opozitës për President konsensual, t’i bëhet ftesë LDK-së, si partia më e madhe opozitare, që të propozojë emra për President konsensual. Për AKR-në janë planifikuar deri në shtatë ministri”, ka thënë diplomati perëndimor. Por përmes një komunikate për media të lëshuar dje, Aleanca Kosova e Re u bëri sërish thirrje partive politike që të mos garojnë me emra për Presidentin e mundshëm, por të mbështesin kandidaturën e Behxhet Pacollit.
Arrestohet zyrtari i AAK-së
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar pas arrestimit të sekretarit të saj organizativ, njëherësh kryetar i komunës së Suharekës, nga policia e EULEX-it. Kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi, i marrë dje në pyetje nga Gjykata e Qarkut, i janë caktuar 30 ditë paraburgim, pasi Kuçi nuk ka dashur të dëshmojë në rastin Fatmir Limaj, ndaj të cilit EULEX-i ka ngritur dyshime për krime lufte.
Jakup Krasniqi ushtruesi i detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, tha se bisedimet ndërmjet partive politike duhet të përfundojnë me gjetjen e një kandidati të ri, i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë, përfshirë edhe opozitën. “Ne verbërisht s’do të mbështesim askënd. Do të thotë, presim rezultatin e bisedimeve”, tha Krasniqi. Ai e hodhi poshtë mundësinë që të kandidojë vetë për postin e Presidentit. Krasniqi sot do të nisë takimet me partitë politike.
MAKOLLI: Partia e themeluar nga Behgjet Pacolli, AKR-ja, vazhdon të shpresojë për daljen nga kriza edhe me emrin e Behgjet Pacollit për President. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se beson që këto përpjekje politike, ku janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, do të rezultojnë me një zgjidhje dhe marrëveshje konkrete. “Unë besoj që vendi do të ketë President të zgjedhur ditët në vijim”, tha Makolli.
© Panorama.al











