Krimet e Rënda lirojnë tre të arrestuarit për trafik në Vlorë

Apr 12, 2011 | 11:06

TIRANE – Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata për Krimet e Rënda liroi dje nga qelia tre nga katër personat e arrestuar dy javë më parë në Fier për akuzën e “trafikimit të femrave”. Motivi i kërkesës ishte mungesa e provave që të faktonte përfshirjen e të dyshuarve në trafik. Gjyqtari i gatshëm, Gurali Brahimllari, urdhëroi lirimin e menjëhershëm për Martin Osmenin, Arben Veizin dhe Virjon Menajn. Ndërsa për të dyshuarin Mikel Ferko, gjykata caktoi masën e sigurisë “arrest me burg”. Katër të arrestuarit për llogari të operacionit policor “Kufiri i fundit” u paraqitën dje për vlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën për Krimet e Rënda, si gjykatë kompetente për veprën penale për të cilën dyshoheshin. Më 16 dhe 17 mars të këtij viti, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier kishte caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest me burg”. Sipas dyshimeve të para, të arrestuarit ishin pjesë e një grupi që trafikonte femra për shfrytëzim prostitucioni në Greqi. Burime pranë gjykatës pohuan se i pari që u paraqit para togave të zeza ishte Martin Osmeni. Burimet pohuan se përfaqësuesi i prokurorisë në proces i kërkoi gjykatës revokimin e vendimit të Gjykatës së Fierit për “arrestin me burg” ndaj të dyshuarit dhe lirimin e tij. Sipas prokurorisë, pas zbardhjes së përgjimeve telefonike mes të arrestuarve, kishte rezultuar se Osmeni nuk ishte i përfshirë në trafikimin për të cilin dyshohej. Kërkesa është pranuar nga gjykata, e cila ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Osmenit, nëse ai nuk mbahej i arrestuar për ndonjë vepër tjetër penale. Me të njëjtin argument prokuroria ka kërkuar më pas edhe lirimin e të dyshuarve Arben Veizi dhe Virjon Menaj. Ndërsa për të pandehurin Mikel Ferko, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit për caktimin e “arrestit me burg”, pasi ekzistonin dyshimet e arsyeshme se ai kishte konsumuar veprën penale të “trafikut të femrave”.                        ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura