KQZ-ja përgatit skemën për të shmangur largimin e komisionerëve së bashku me vulat nga qendrat e votimit.Në mbledhjen e sotme do të miratohet një projektvendim, i cili i hap rrugën prodhimit të një vule rezervë për secilën qendër votimi. Ky fenomen është shfaqur rëndom në zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të përgjithshme dhe për secilin rast është dashur të mblidhet KQZ-ja për të autorizuar prodhimin e vulës dhe më pas ajo dërgohej me helikopter në qendrën e votimit.
Vendimi
Në aktin e përgatitur nga administrata e KQZ-së dhe që i është shpërndarë dje përfaqësuesve të partive politike, parashikohet që sasia e vulave rezervë që do të prodhohen për qendrat e votimit të jetë e barabartë me numrin e qendrave në të gjithë vendin, 4865 qendra në të 12 qarqet. “Vulat rezervë për qendrat e votimit do të administrohen nga Zyrat Rajonale të KQZ-së. Zëvendësimi i vulës së KQV-së apo kryetarit të KQV-së me vulën rezervë të qendrës së votimit të miratuar në këtë vendim, do të bëhet vetëm me vendim të KQZ-së, rast pas rasti”, thuhet në projektvendimin i cili do të diskutohet sot. Në relacionin që shoqëron aktin, shpjegohet se nevoja e këtij vendimi vjen pas rasteve të shfaqura në zgjedhjet e kaluara. “Nisur nga eksperienca e proceseve zgjedhore të mëparshme, ku KQZ-ja është gjendur para faktit të dëmtimit, humbjes së vulave të KQV-ve apo kryetarit të KQV-së, si pasojë kryesisht e largimit të komisionerëve nga detyra, KQZ-ja ka qenë e detyruar që brenda një kohe shumë të shkurtër të bëjë zëvendësimin e këtyre vulave, në mënyrë që të sigurojë vazhdimin e procesit të votimit në qendrat e votimit”, thuhet në relacion. Një tjetër arsye e propozimit të këtij vendimi është edhe kostoja e lartë me të cilën duhet të dërgohet vula në qendrën e votimit. Në zgjedhjet e kaluara është përdorur helikopteri për të dërguar vulën në qendrën e votimit ku janë larguar komisionerët. “Duke qenë se një veprim i tillë ka kosto kohore dhe financiare shumë të madhe, kjo si për arsye të transportit të përdorur, por edhe për të shmangur bllokimin e procesit të votimit në qendrat e votimit ku mund të ndodhë fenomeni i mungesës së njërës prej vulave, është menduar që të prodhohet paraprakisht vula rezervë për çdo qendër votimi, të cilat do të administrohen nga zyrat rajonale të KQZ-së dhe do të përdoren vetëm me vendim të KQZ-së, rast pas rasti”, përfundon relacioni. Në të njëjtën kohë, në mbledhjen e djeshme përfaqësuesi i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, kërkoi që KQZ-ja të shtojë një pikë në manualin e zgjedhjeve, ku të përcaktohet se si do të veprohet në rastet kur largohen komisionerët e një force politike dhe nuk arrihet kuorumi për funksionimin e komisionit. Kreu i KQZ-së, Ristani, tha se kjo mund të rregullohet nëpërmjet një vendimi të miratuar nga ky institucion.
“Humbja e vulës në ditën e zgjedhjeve”
Manuali parashikon rastin kur humbet vula ditën e votimit. “KQV njofton menjëherë, me telefon (me të gjitha mënyrat e njoftimit) KZAZ-në, Inspektorin e ZRZ-së. Sekretari i KQV-së mban procesverbalin për rrethanat e humbjes së vulës në LPM të KQV- së dhe marrjen e vendimit për pezullimin e votimit. Kopje e procesverbalit të mbledhjes së KQV-së i bashkëlidhet vendimit. Veprimet e KQV-së, KZAZ-së dhe Inspektorit të ZRZ-së duhet të jenë të shpejta, që pezullimi i votimit të mos jetë më shumë se 6 (gjashtë) orë. Pezullimi ose mos fillimi i votimit për më shumë se gjashtë orë, sjell pavlefshmërinë e zgjedhjeve në qendrën e votimit”, thuhet në manual.
KQZ: Si do votohet më 8 maj
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me gjashtë vota pro manualin për ditën e zgjedhjeve më 8 maj.Në mbledhjen, e cila zgjati rreth 60 minuta, u pranua një propozim i PS-së për shenjat që do të përdoren në fletën e votimit si dhe u rrëzua një kërkesë tjetër, për sa i përket nënshkrimit të votuesve në listën e zgjedhësve, përpara se të marrë fletën e votimit ku do t’i drejtohen dhomës së fshehtë.
Propozimet e PS
Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Salianji, i propozoi Komisionit që në listën e zgjedhësve, kur qytetari të paraqitet, të mos vërë vetëm firmën siç ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara, por të shkruajë edhe emrin e mbiemrin me shkrimin e tij. Përfaqësuesit e administratës së KQZ-së e hodhën poshtë këtë propozim, me pretendimin se në listën e zgjedhësve, e cila mbahet nga anëtarët e komisionit, nuk ka vend të nevojshëm për të vendosur edhe emrin dhe mbiemrin. Në të njëjtën kohë, kreu i KQZ-së, Arben Ristani, tha se me vendosjen e këtij rregulli të ri mund të shkaktohet konfuzion nëse zgjedhësi shkruan emrin dhe mbiemrin, por nuk firmos. Gjatë votimit pro propozimit të PS-së votuan Subashi, Laze e Ristani, ndërsa tre anëtarët demokratë votuan kundër dhe për shkak të mungesës së Pandeli Varfit, ky propozim me tre vota pro e tre kundër, u rrëzua. Një tjetër propozim i Partisë Socialiste ishte që në fletën e votimit qytetarët të zgjedhin kandidatin duke vënë dy shenja në kutinë përkrah emrit, shenjën “+” dhe “x”. Ndërkohë, në manualin e shpërndarë nga stafi i KQZ-së ishin vendosur edhe dy shenja të tjera “ Ö “dhe “ ”. Në përfundim, anëtarët e KQZ-së pranuan variantin e PS-së për të hequr dy shenjat e tjera me qëllim që të mos çorientohen votuesit. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe skema e vendosjes së komisionerëve, vëzhguesve, dhomës së fshehtë dhe kutisë së votimit gjatë 8 majit. Me gjashtë vota pro u pranuan dy variante, të cilat do të përshtaten sipas sipërfaqes për çdo qendër votimi, ku në njërin variant vëzhguesit qëndrojnë në krah të majtë të anëtarëve të komisionit dhe në variantin tjetër qëndrojnë përballë komisionit.
Manuali
Qendrat e votimit në 8 maj do të hapen në orën 07.00 dhe do të mbyllen në orën 19:00. Gjatë procesit të votimit, qytetari do të kryejë pesë veprime përpara komisionit. Pasi hyn në qendrën e votimit, ai do të kontrollojë fillimisht emrin në listën e zgjedhësve, ku përpara komisionerit do të paraqesë kartën e identitetit ose pasaportën e vlefshme, pavarësisht nëse ajo është e vjetër apo biometrike. Më pas, në komisionerin e dytë do të kontrollojë nëse ka votuar më parë, ku do të shohë nëse gishti i është ngjyrosur me bojën matrikuluese. Hapi i tretë është nënshkrimi në listën e votimit dhe më pas komisioneri i katërt i ngjyros gishtin me bojën matrikuluese. Hapi i pestë është marrja e fletës së votimit dhe vajtja në dhomën e fshehtë ku vendos shenjën pranë njërit prej kandidatëve. Një komisioner do të qëndrojë pranë dhomës së fshehtë, ku nuk do të lejojë qytetarët që të aplikojnë votimin familjar, ndërsa komisioneri i shtatë do të mbajë radhën pranë hyrjes në qendrën e votimit. Në zgjedhjet për Tiranën do të votohet në katër fletë votimi, ndërsa në bashkitë dhe komunat e tjera do të votohet me dy fletë votimi.
Manuali
Në manualin e miratuar dje nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i është kushtuar rëndësi ngjyrës së fletës së votimit dhe hedhjes së saj në kutinë përkatëse. “Zgjedhësi, pasi del nga dhoma e fshehtë, duhet të orientohet edhe për ngjyrën, duke iu referuar shiritit me ngjyrë që ka fleta e votimit, e cila është e njëjtë me shenjën dalluese të vendosur në secilën kuti të votimit. Ai/ajo hedh fletën e votimit në kutinë përkatëse të votimit dhe largohet nga qendra e votimit”, thuhet në manual.
Shenjat
Shenjat në fletën e votimit
“x”
“+”
Nuk pranohen
“Ö”
“g ”
Skemat ne qendren e votimit


Kartat, për një javë
Personat që do të aplikojnë për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik para zgjedhjeve lokale të 8 majit, do të arrijnë të marrin kartën e tyre të identitetit brenda javës nga momenti i aplikimit. Ministria e Brendshme njoftoi dje se ka arritur një marrëveshje me kompaninë koncesionare “Aleat” për shkurtimin e kohës së prodhimit të kartave të identitetit. Sipas Ministrisë së Brendshme, për t’u pajisur me letërnjoftimin elektronik para zgjedhjeve vendore të 8 majit, afati i fundit i aplikimit është data 29 prill 2011. Njoftohet se që prej një jave zyrtarët e kompanisë “Aleat” në të gjithë vendin po punojnë me orar të zgjatur, nga ora 08:00 deri në orën 18:30.
S‘e ka emrin në Yrshek, do leje votimi në gjykatë
TIRANE – Mungesa e emrit të tij në listat zgjedhore ka çuar në dyert e Gjykatës së Tiranës një 76-vjeçar nga Yrsheku, komuna Kashar, Tiranë. Xhelal Daja ka depozituar dje në kryesekretarinë e Gjykatës së kryeqytetit një kërkesë për leje votimi. “Në listat përfundimtare të zgjedhësve të zonës së Yrshekut, banor i të cilës unë jam, unë nuk jam i regjistruar. Kjo provohet me vërtetimin e Komisionit të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr.57, në të cilën bën pjesë komuna Kashar. Po kështu, emri im nuk rezulton të jetë i regjistruar në ndonjë qendër votimi të Republikës së Shqipërisë. Për këtë arsye i drejtohem gjykatës, që në basë të ligjit të vendosë për regjistrimin tim në këtë Njësi zgjedhore, duke më dhënë të drejtën e votimit në qendrën e votimit 1542 të Zonës së Administrimit Zgjedhor nr.57, qarku Tiranë”, thuhej në kërkesën e nënshkruar nga 73-vjeçari Daja. Kërkesa e Dajës do të shqyrtohet në Gjykatën e Tiranës nga gjyqtarja Elona Gjoka. Kjo kërkesë është e dyta në radhë e këtij lloji në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Në 13 prill, zgjedhësi Hasan Kaja, 71 vjeç, i kërkoi gjykatës leje për të votuar, pasi emri i tij nuk gjendej në listat zgjedhore. ar.ba
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











