Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, i është përgjigjur dje interesit të Partisë Socialiste për rrugën se si u zgjodh kompania “Mediaprint” për prodhimin e fletëve të votimit të 8 majit. Në këtë letër bëhet e ditur se kanë qenë tri kompani, të cilat kanë shfaqur interes për të fituar tenderin për printimin e rreth 7.4 milionë fletëve të votimit që do të përdoren në zgjedhjet lokale. “Pasi njësia e prokurimit miratoi dokumentacionin e kësaj procedure prokuruese, u ftuan për të paraqitur ofertat ekonomike tri shoqëri. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, pasi shqyrtoi ofertat ekonomike të paraqitura, duke pasur parasysh që në kriteret e vlerësimit çmimi më i ulët i ofruar është fitues, bëri klasifikimin përfundimtar. Me shoqërinë që ofroi çmimin më të ulët, konkretisht shoqëria ‘Mediaprint’ sh.p.k, u vendos që të vazhdoheshin negociatat e mëtejshme”, thuhet në letrën drejtuar përfaqësuesit të PS-së në KQZ, Genc Gjonçaj. Më tej bëhet e ditur se kompanisë që fitoi tenderin iu kërkua të paraqiste dokumentacionin ligjor për burimet financiare, për të provuar që janë financiarisht në gjendje të realizojnë prodhimin e fletës së votimit. “Për këtë arsye ata duhet të plotësojnë kërkesat: xhiroja mesatare vjetore gjatë dy viteve të fundit duhet të ketë një vlerë jo më të ulët se 50 milionë lekë; bilanc pozitiv i dy viteve të fundit; të ketë llogari rrjedhëse në masën 10% të fondit limit”.











