Kosovë-Serbi, Beogradi skenar për bisedimet

Apr 20, 2011 | 12:24

Ndryshe nga të gjitha palët e përfshira në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo e fundit i është qasur në mënyrë shumë serioze këtij procesi, vlerësojnë analistët e çështjeve politike në Prishtinë.

Krenar Gashi, nga Instituti Kipred, thotë se këtë e reflekton edhe takimi i fundit ndërmjet kryenegociatorit serb, Borisllav Stefanoviq, dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, ku thuhet të jetë ‘hartuar një skenar në detaje për lëvizjet në të ardhmen si dhe për propozimet e ndryshme për dialogun’.

“Fatkeqësia qëndron në faktin se vetëm një palë ka politikë aktuale të zhvilluar, sa i përket këtij procesi”.

“Për shkak të një roli shumë pasiv të Brukselit, për shkak të një roli inekzistent të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe mungesës së iniciativës nga ana e kosovarëve, ajo që dominon në diskursin publik, sa u përket diskutimeve, është ajo që diktohet në Beograd”.

“Me këtë gjë, Kosova po hyn në disavantazh karshi Beogradit në gjithë këtë proces, i cili, pa marrë parasysh se thirret si teknik, megjithatë ka konotacione politike”, thekson Gashi.

Por, analisti Behlul Beqaj nuk mendon se takimi i fundit Stefanoviq-Tadiq është një shtim i seriozitetit të palës serbe për dialogun, sepse, sipas tij, po ky seriozitet ka qenë i pranishëm që nga fillimi në Beograd.

Sipas tij, Serbia vetëm po vazhdon dinamikën dhe caktimin e prioriteteve, të cilat i mundësojnë asaj përafrimin me Bashkimin Evropian.

Beqaj thotë se lëvizjet në Beogradin zyrtar në lidhje me dialogun, më shumë janë në favor të reflektimit në politikën e brendshme të Serbisë.

“Po merret një situatë në kuadër të kontekstit të trysnisë që po bëhet në Serbi, për ta ngritur nivelin e përgjegjësisë për çështje të hapura në dialogun me Kosovën. Unë mendoj se ky është vetëm një manovrim për ta mbajtur nivelin e pozitës dhe opozitës në Serbi në gjendjen në të cilën është dhe të mos akuzohet pushteti, gjoja se po bën lëshime në Kosovë”.

“Në anën tjetër, problemi i mirëfilltë apo esencial nuk është në këtë kuptim, se a po ngrihet përgjegjësia dhe serioziteti në Serbi, por pse ka mbetur joserioziteti i Kosovës karshi zgjidhjeve të problemeve të hapura në nivelin e fillimit të dialogut”, thotë Beqaj.

Drejtuesi i ekipit serb në kuadër të dialogut, Borisllav Stefanoviq, ka deklaruar se “çfarëdo lëvizjeje e njëanshme në Kosovë mund të shkatërrojë gjendjen e brishtë të sigurisë’.

Analisti Gashi vlerëson se deklarata e Stefanoviqit e pason atë të shefit të EULEX-it, Ksavier de Marnak, e cila, siç tha ai, ka qenë konfuze dhe e dëmshme. Sipas Gashit, deklaratat e de Marnakut dhe Stefanoviqit krijojnë përshtypjen se kanë qenë të koordinuara.

“Këto deklarata janë – të paktën ashtu duken nga shikimi prej Prishtinës – që të aludojmë se me Serbinë eventualisht do të duhej të flisnim edhe për çështje të tjera të ndjeshme, siç është veriu i Kosovës”.

“Përderisa veriu i Kosovës vazhdon të mbetet dhe të promovohet në gjithë botën nga Serbia si një konflikt i ngrirë dhe përderisa Bashkimi Evropian nuk e ka tendencën dhe iniciativën më të vogël që ta kthejë sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës, atëherë ne do të jemi në disavantazh konstant, kronik, karshi Serbisë”, shprehet Gashi.

Analisti Beqaj vlerëson se deklarata e Stefanoviqit nuk ka bazë reale. Sipas tij, këtë e demantojnë 10 vjetët e kaluar, kur nuk ka pasur skenarë për veprime të njëanshme në veri të vendit.

“Kjo bëhet vetëm si segment i manovrimit që po bëhet karshi opozitës, e cila në një mënyrë po e fajëson (pozitën), karshi gjendjes së vështirë ekonomike, korrupsionit të shkallëzuar në Serbi dhe dështimit në kuadër të dinamikës në proceset e integrimeve evropiane”.

“Gjoja, pozita po bën lëshime kur ka të bëjë me çështjen e integritetit territorial të Serbisë. Do të thotë, manovrimet janë logjike në rrethanat në të cilat është Serbia. Unë prapë po e tërheq vërejtjen se nuk është mirë që dialogun ta vlerësojmë jashtë kontekstit të zhvillimeve të brendshme të Serbisë”, deklaron Beqaj.

Analistët e çështjeve politike thonë se Kosovës i nevojitet një rol i shtuar në procesin e dialogut, si dhe një intensitet më i theksuar i rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në gjithë këtë proces. (rel)

© Panorama.al

Te lidhura