Kosova gjen rrugën jashtë krizës

Apr 7, 2011 | 11:36

Klasa politike në Kosovë duket se ka gjetur gjuhën e përbashkët  për të kapërcyer krizën që kishte mbërthyer vendin që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ta cilësuar një proces antikushtetues zgjedhjen e Behgjet Pacollit president.Marrëveshja për të evituar zgjedhjet e parakohshme duke i hapur rrugë ndryshimeve kushtetuese, në një afat prej gjashtëmuajsh, është arritur në parim të martën në mbrëmje dhe është finalizuar të mërkurën, kur nga selia e qeverisë u deklaruan detajet e saj. Një gjë është e sigurt. Kosova nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme. Presidenti do të jetë konsensual, dhe nuk do të jetë Behgjet Pacolli. Zoti Pacolli tha mbrëmë se është arritur marrëveshja për tejkalimin e krizës politike, ndërsa koalicioni qeverisës do të vazhdojë funksionimin e tij, duke evituar zgjedhjet e parakohshme. Në një intervistë për RTK-në, Pacolli konfirmoi tërheqjen e tij nga rikandidimi për Presidencën. Por ai nuk do të heqë absolutisht dot nga dëshira për të kryesuar Kosovën. Ai do të rikandidojë pas amendamentit kushtetues që pritet të ndodhë në 6 muajt e ardhshëm. “Unë nuk do të jem kandidat i ardhshëm për president i Kosovës, për arsye se asnjëherë nuk dua të përjetoj atë që kam përjetuar, nuk dua të përjetoj atë moment ku unë isha vetëm viktimë dhe tani unë jam duke e paguar fajin e të tjerëve”, tha ai. Pacolli ka shtuar se zgjidhja është arritur me ndërmjetësimin e tij dhe të ambasadorit amerikan Kristofer Dell. PDK-ja dhe LDK-ja arritën një marrëveshje që vendi t’i shmangë zgjedhjet e shpejta, por ato të kryhen rreth vitit 2013. Koalicioni qeverisës do të vazhdojë mandatin e tij, shumë shpejt do të gjendet edhe një President i ri.
Pakti për Presidentin
Sipas marrëveshjes pozitë-opozitë, Presidenti i ri i vendit nuk do të ketë mandat të plotë, por gjatë mandatit të tij që pritet të jetë nga 6 deri në 9 muaj, do të ndryshohet ligji për zgjedhje, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen e Presidentit, drejtpërdrejt me votat e qytetarëve. Sipas Pacollit, “Presidenti i ri që do të zgjidhet, do të ketë detyrë që brenda 6 muajve të bëhen këto reforma, të ndryshojë Kushtetutën, të plotësojë Kushtetutën e sidomos atë pikë, e cila i përket zgjedhjes së Presidentit, kështu që presidenti i ardhshëm do të zgjidhet nga qytetari i Kosovës dhe këto zgjedhje do të ndodhin diku 9 deri në 12 muaj pre nga tani”, tha Pacolli.
Thaçi: Ja marrëveshja
Në një konferencë të përbashkët me Isa Mustafën e LDK-së, Behgjet Pacollin dhe ambasadorin amerikan, Kristofer Dell, Thaçi konfirmoi se palët e kanë arritur marrëveshjen dhe vendi nuk do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Duke iu drejtuar gazetarëve dhe qytetarëve të Kosovës, Hashim Thaçi tha se liderët e tri partive kanë arritur marrëveshje për “Kosovën e reformave”. “Ne dominojmë Atifete Jahjagën si kandidate për presidente të Kosovës. Pajtohemi që menjëherë të formojmë një komision për reformën e zgjedhjeve presidenciale, në mënyrë që Presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli. Komisioni duhet ta përfundojë punën nga 6 – 9 muaj. Zgjedhjet do të mbahen jo më vonë se 6 muaj pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit nga populli”, tha Thaçi. Sipas këtij, memorandumi do të formohet edhe komisioni përkatës për ndryshimin e Ligjit Zgjedhor që zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato lokale të mbahen në vitin 2013. Në fjalën e tij, Isa Mustafa falënderoi Pacollin, ambasadorin Dell dhe Thaçin për gatishmërinë në arritjen e një marrëveshjeje. Ai tha se kjo është një marrëveshje e rëndësishme për reformën e sistemit zgjedhor.

Vetëvendosje: Nuk e kandidojmë dot Demaçin

“Vetëvendosje” nuk do ta kandidojë Adem Demaçin për President, pasi kjo parti nuk i ka numrat për ta bërë një gjë të tillë. Deputeti i “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, pas një takimi të zhvilluar dje me Kryeparlamentarin dhe ushtruesin e detyrës së Presidentit, Jakup Krasniqi, i pyetur për mundësinë e propozimit të Demaçit prej tyre, u sqarua se kjo mbetet në kuadrin e dëshirës, pasi Lëvizja Vetëvendosje nuk ka mundësi të propozojë një kandidat. Kjo u takon partive me më shumë deputetë.

© Panorama.al

Te lidhura