Dëmtohen me thyerje dhe grisen posterat në zyrat elektorale të kandidatit të PS-së në Korçë, Niko Peleshi. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje ka reaguar dega socialiste e Korçës: “Këto janë akte vandale, që synojnë të prishin fushatën në Korçë. Janë një sërë incidentesh që po regjistrohen në qytet dhe duhet që policia të marrë sa më shpejt masa për të mos lejuar kryerjen e veprimeve të tilla”, deklaroi kreu i PS-së së Korçës, Muharrem Meko. Nisur nga ky denoncim, policia e Korçës ka nisur menjëherë hetimet dhe ka arrestuar shtetasin Jorgo Potka. Ky i fundit, 35 vjeç, ka pranuar autorësinë, ndërsa ka theksuar se ka qenë nën efektet e alkoolit, çka e ka konfirmuar edhe policia. Potka rezulton me precedentë penalë dhe akuzohet për disa vjedhje në Korçë.
Zgjedhjet, Nishani: Garantojmë situatë të qetë
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, zhvilloi dje takime me drejtues të strukturave të policisë në Shkodër dhe Lezhë, në kuadër të masave që po merren për ruajtjen e rendit dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Gjithsecili prej punonjësve të policisë të jetë i qartë për detyrat që ka, duhet të ketë përgjegjësi për veprimtarinë e tij, e po kështu të jetë i përgjegjshëm për veprimet që kryen, duke njohur mirë kufirin përtej të cilit nuk duhet të ndërhyjë”, tha Nishani, në takim me drejtuesit e policisë së Lezhës dhe të Shkodrës. Ai theksoi se partitë politike bëjnë garën e tyre, por për policinë udhëheqës është ligji dhe rregullorja. “Duhet të garantojmë që qytetarët shqiptarë, pavarësisht bindjeve të tyre politike, të ndihen në një ambient të sigurt për ushtrimin e të drejtës së votës”, ka kërkuar ministri Nishani.











