Korçë, Berisha prezanton Andrea Manon

Apr 10, 2011 | 19:39

KORCE- Projekte per Korcen evropiane, turistike, te biznesit, miqenies dhe ate universitare. Kryeministri Sali Berisha ka premtuar mbeshtetje te plote per transformimin e Korces, duke kerkuar voten e qytetareve per Andrea Manon, kandidatin e  Koalicionit “Aleanca për qytetarin” për kryetar Bashkie të qytetit të Korçës.

Berisha perseriti faktin se qeveria vjen krenare sot para qytetarëve të Korçës me arritje konkrete në këto katër vjet.  “Në këto vite në Qarkun e Korçës janë ndërtuar 380 km rrugë dhe janë investuar 150 milionë euro. Qeveria po investon në të gjitha drejtimet”, tha kryeministri, duke përmendur këtu autostradën Tiranë Elbasan, autostradën Qukës- Qafë Plloç, përmes të cilave shkurtohet distanca Korçë – Tiranë, nga 185 km në 125 km, pra së paku me 60 për qind të kohës.

Berisha i beri  thirrje opozitës të votojë në parlament ligjin për amnistinë fiskale për biznesin dhe të mos harrojë se biznesi ka votuar e voton gjithmonë për Shqipërinë, se biznesi është gjeneratori kryesor i punësimit, i të ardhmes së qytetarëve shqiptarë.

“Krahas alternativës së “Aleancës për qytetarin” që përpiqet t’u japë përgjigjen më të mirë të gjitha problemeve komunitare, qëndron edhe alternativa tjetër, aleanca tjetër, “Aleanca e betonit”- tha Berisha.

Duke iu referuar lajmeve të ditëve të fundit nga Brukseli ku njoftohet se ekonomia shqiptare është e vetmja ekonomi që vrapon, është e vetmja ekonomi e cila ecën me shpejtësinë më të madhe dhe në kohën e krizës më të thellë, kryeministri nënvizoi se kjo është merita e qytetarëve të mbarë Shqipërisë që mbështetën reformat e ndërmarra nga qeveria.

“Në këtë fushatë unë jam njëri prej jush, ndërsa ju, qytetarë të Korçës e të mbarë Shqipërisë, jeni ministra, kryeministra, presidentët e mi, që do të më udhëhiqni mua drejt fitores më të thellë. Do të vendosni Andrea Manon si qytetarin tuaj të parë, do ta shndërrojmë këtë pranverë në pranverën e fitores së madhe”, tha ai.

 

© Panorama.al

Te lidhura