Këtë vit degë të reja në universitete

Apr 20, 2011 | 11:05

Degë të reja për tek-nologjinë dhe informacionin do të hapen për vitin e ardhshëm akademik. Këtë bën me dije Ministria e Arsimit edhe e Shkencës. Sipas përfaqësueseve të këtij dikasteri, këto degë do të kenë edhe numrin më të lartë të kuotave. Ndërsa në degët ekzistuese, që i përkasin këtij grupi, do të ketë dyfishim të kuotave. Ka qenë Kryeministri i vendit ai që pak muaj më parë ka theksuar prioritetin që do t’i jepet këtyre lëndëve. Në zbatim të kësaj poltike do të jetë edhe rritja e kuotave të pranimit, e cila në të gjitha universitetet do të jetë 10% më e lartë. Pra, krahasuar me vitin e kaluar, do të nisin shkollat e larta rreth 2200 kandidatë më shumë. Më shumë degë do të ketë edhe formulari A2. Në vitin e parë të aplikimit të sistemit të Maturës Shtetërore në gjimnaze, Formulari i përzgjedhjes së degëve përmbante vetëm 170 të tilla. Por nga viti në vit numri i degëve ka ardhur duke u rritur, duke arritur kështu gjatë vitit të kaluar në 264 degë, shifër mjaft e lartë dhe e larmishme kjo. Ndërsa sivjet, numri i degëve pritet të pësojë rritje, pasi pritet të miratohet hapja e degëve të reja kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit. Ndërkaq, mësohet se nuk do të ketë ndryshime sa i përket mënyrës së plotësimit të formularit apo përmbajtjes të së dhënave që duhen plotësuar.

© Panorama.al

Te lidhura