Kapet i kërkuari për vrasje

Apr 12, 2011 | 10:54

Një i kërkuar për vrasje, që i kishte shpëtuar tri herë policisë, u prangos mëngjesin e djeshëm në Poliklinikën Nr. 9, në Tiranë, teksa çonte gruan për një vizitë mjekësore.Operacioni i forcave speciale RENEA, i koduar “Vizita e fundit”, u finalizua me arrestimin e të dënuarit me 14 vjet burg për “vrasje me paramendim”, shtetasit Naim Luli, 47 vjeç. Sipas policisë, i kërkuari Naim Luli nuk u ka bërë rezistencë forcave të policisë, pasi është gjendur në befasi teksa hynte në poliklinikë. Arrestimi i tij u krye në afërsi të “21 Dhjetorit”, në ambientet e Poliklinikës Nr. 9. Dyshohet se përgjatë 9 viteve, që nga koha kur kreu vrasjen në vitin 2002, ai është strehuar tek të afërmit e tij, duke vizituar herë pas herë edhe familjen, gruan dhe tre fëmijët, në fshatin Çekrez të Tiranës. Policia sqaroi dje se Naim Luli konsiderohej person me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në tri operacionet të përparshme, të organizuara për kapjen e tij, ai i është shmangur arrestimit duke u arratisur herë pas herë nga vendi ku policia kishte informacion se strehohej. Ndërsa mëngjesin e djeshëm, informacionet e siguruara nga oficerët e kërkimit të Policisë së Tiranës kanë qenë të sakta, kurse ndërhyrja e forcave speciale nuk ka lënë vend për dështim.
VRASJA E FQINJIT
Naim Luli është dënuar me 14 vjet burg nga Gjykata e Apelit të Tiranës më 8 shkurt të vitit 2006, me akuzën “vrasje me paramendim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Sipas vendimit të gjykatës, ngjarja për të cilën akuzohet i arrestuari ka ndodhur më 5 maj të vitit 2002, në fshatin Çekrezë të Tiranës, ku ai ka vrarë me armë zjarri fqinjin e tij, Astrit Cani, 29 vjeç. Sipas burimeve zyrtare të policisë, vrasja e 29-vjeçarit Cani ka ndodhur për motive pronësie. Pasditen datës 5 maj 2002, Astrit Cani ka pasur një konflikt të ashpër me komshiun e tij, Naim Luli. Shkaku i konfliktit ka qenë një mur, të cilin ata pretendonin të dy se ishte i veti. Sipas burimeve të Policisë së kryeqytetit, pas konfliktit, Naim Luli ka qëlluar me pistoletë mbi Astrit Canin, duke e lënë atë të vdekur përpara derës së shtëpisë. Menjëherë pas vrasjes, Luli ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes dhe u shpall në kërkim e më pas u dënua në mungesë. Për rreth 9 vite ai qëndroi në arrati, duke i shpëtuar disa herë prangosjes, derisa u arrestua mëngjesin e djeshëm.

EKSTRADIMI

Interpol Tirana ekstradoi dje nga Milanoja të kërkuarin për vrasje, Mirvet Balliu, 34 vjeç, nga Dibra. Ai ishte arrestuar në Itali, në korrik të vitit të kaluar, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë. Sipas policisë, Balliu është dënuar nga Gjykata e Dibrës me 14 vjet burg për vrasje. Sipas vendimit të gjykatës, Balliu, në vitin 1997, ka vrarë në Dibër Dashamir Bucin për motive hakmarrjeje. Viktima i kishte vrarë vëllanë, Albert Balliun, në vitin 1995.

Vrasja 9 vjet më parë për pronën

Sipas policisë, vrasja për të cilën akuzohet i arrestuari i djeshëm Naim Luli ka ndodhur për motive pronësie në fshatin Çekrezë të Tiranës. Prej muajsh autori ka pasur konflikte me fqinjin e tij, Astrit Cani, për një mur që ndante rrugën mes shtëpive të tyre, të cilin të dy e pretendonin pronë të vetën. Sipas policisë, Naum Luli kërkonte që ai mur të shembej, pasi ndodhej në pronën e tij, ndërsa komshiu Astrit Cani pretendonte të kundërtën, që muri nuk do të shembej, pasi ndodhej në tokën e vet. Konflikti është ashpërsuar pasditen e datës 5 maj të vitit 2002, kur autori dhe viktima janë përballur sërish dhe kanë nisur të njëjtin debat. Konflikti mori përmasa të tjera, që çoi në vrasje. Naim Luli u fut në shtëpi, mori pistoletën dhe pa pritur më diskutime nga ana e fqinjit të tij, e qëlloi duke e lënë të vdekur në vend.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura