Një sasi prej 40 kilogramësh bimë narkotike u sekuestrua dje nga policia e Tiranës, gjatë aksionit të koduar me emrin “Tri urat”, i cili parandaloi trafikimin e drogës në Greqi. Aksioni është realizuar gjatë orëve të vona të natës duke gdhirë dita e djeshme, në rrugën mes Korçës dhe Ersekës. Ngarkesa me 40 kg hashash me destinacion Greqinë, u zbulua në makinën tip “Audi”, me targë TR 6015 I, në pronësi të shtetasit Gëzim Jonuzaj nga Tirana, i cili u arrestua. Bashkë me të përfunduan në pranga vëllezërit Artur e Agron Garuja, nga Kavaja, si dhe Qazim Daci, nga Tirana. Policia e Tiranës tha dje se dy prej të arrestuarve, Gëzim Jonuzaj dhe Agron Garuja, kanë qenë të arrestuar edhe më parë për të njëjtën akuzë në Greqi. Sipas policisë, është zbuluar edhe linja e trafikut të bimës narkotike, që mësohet se kultivohej në fshatrat Ibë e Baldushk në Tiranë. Ngarkesa ishte nisur nga kryeqyteti drejt Pogradecit, duke kaluar më pas në Korçë dhe është bllokuar në afërsi të Ersekës, pa arritur në destinacionin e verifikuar tashmë nga policia, që ishte pika kufitare “Tri urat”, për të kaluar më pas në Greqi. Policia tha se gjatë kontrollit, në banesën e Gëzim Jonuzajt në fshatin Ibë e Sipërme u gjet edhe 2 kg hashash i ndarë në porcione, i destinuar për tregun e brendshëm në Tiranë, si dhe një peshore elektronike e cila shërbente për peshimin dhe ndarjen e porcioneve. Hetimet në lidhje me trafikimin e mundshëm të një ngarkese me bimë narkotike kishin nisur rreth tre muaj më parë nga oficerët e Antidrogës së Tiranës, të cilët kishin siguruar informacione për vendin se ku kultivohej kanabisi, personat e përfshirë në rrjetin e trafikimit, itinerarin e lëvizjes së drogës, si dhe destinacionin përfundimtar. Si moment për të ndërhyrë është zgjedhur mbrëmja e së martës duke gdhirë e mërkura, në mënyrë që personat që po trafikonin sasinë e kanabisit drejt Greqisë, të arrestoheshin në flagrancë. Ata janë mbajtur nën vëzhgim gjatë gjithë kohës nga grupi hetimor, derisa është dhënë sinjali për ndërhyrje, pak kilometra para mbërritjes në destinacion.
Të arrestuar
1. Agron Garuja,
36 vjeç, nga Kavaja
2. Artur (Samuel) Garuja,
33 vjeç, nga Kavaja
3. Gezim Jonuzaj,
53 vjeç, nga Tirana
4. Qazim Daci,
67 vjeç, nga Tirana
SEKUESTRUAR
42 kg bimë narkotike
7 telefona celularë
1 automjet tip “Audi 80”
1 automjet tip “Hundai”
20 mijë lekë të reja
një peshore elektronike











