Kameron: Nuk ka plan për të pushtuar Libinë

Apr 18, 2011 | 11:15

Kryeministri britanik, David Kameron, ka përjashtuar çdo mundësi për të ndërhyrë me trupa tokësore në Libi, duke evituar “pushtimin” e këtij vendi.Sipas Kameron, është e rëndësishme që të gjitha vendet të veprojnë në kuadër të mandatit të OKB-së e të mos hidhet asnjë hap i cili nuk do t’i përshtatej botës arabe. “Nuk ka marrëveshje rreth një pushtimi, nuk bëhet fjalë që në Libi të hyjnë çizmet ushtarake britanike”, tha Kameron në një intervistë për televizionin “Sky News”. Kryeministri konservator britanik tha se misioni i Aleancës Veriperëndimore është shumë i qartë: të mbrohet zona e ndalim-fluturimit si dhe të kryhen sulme ajrore për të shkatërruar artilerinë e rëndë të forcave të Moamer Gedafit, i cili po sulmon popullsinë civile. Ndërsa ministri francez i Mbrojtjes, Gerard Longuet, tha se ekziston rreziku që konflikti në Libi të zgjasë më shumë nga sa ishte parashikuar. Gjatë një intervistë për të përditshmen franceze, “Le Parisien”, Longuet pranoi se rreziku i zgjatjes së ndërhyrjes së NATO-s më shumë se sa mendohej, përforcohet pas reagimeve të përditshme të Gedafit. Sipas tij, “Gedafi është shumë i paparashikueshëm”. “Kam përshtypjen se duke qenë një konflikt shumë i ndërlikuar, do të jetë edhe shumë i gjatë”, theksoi ministri në intervistë. Forcat e Gedafit në Libi nuk reshtin me sulme në qytetet e rebelëve. Gjatë ditës së diel ata kanë bombarduar me mina thërrmuese, të cilat kanë hyrë në kategorinë e ndaluar të përdorimit në shumë vende të OKB-së, pasi janë shkatërruese në masë. Qyteti i Ajdabiyas dhe ai i Misratës kanë qenë dje shënjestër e sulmeve. Luftimet në këto qytete kanë qenë të ashpra gjatë gjithë javës së kaluar. Mjekët dëshmojnë se numri i viktimave shtohet çdo ditë. Forcat e Gedafit kanë bombarduar Misratën për rreth 30 minuta dje, nga të cilat 6 civilë humbën jetën. 47 persona të tjerë janë plagosur nga shpërthimet e predhave, sipas raportimeve nga televizioni arab, “Al Jazeera”. Rebelët janë ankuara përsëri se përgjigjja e NATO-s është shumë e ngadaltë dhe duket se aleanca nuk po i mbron ata, atëherë kur kanë nevojë.

Protesta në Azerbajxhan, arrestohet 5-vjeçarja

Opozita në kryeqytetin e Azerbajxhanit ka organizuar dje për herë të parë një protestë antiqeveritare, e cila u përball me forcat e policisë që përpiqeshin ta shpërndanin atë. Qindra aktivistë kanë marshuar nëpër rrugët e kryeqytetit Baku, duke thirrur “Liri” dhe “Dorëheqje”. Sipas dëshmitarëve, policë të veshur me rroba civile kanë arrestuar dhjetëra prej tyre, përfshirë edhe një vajzë 5-vjeçare, e cila ishte në mesin e protestuesve. Opozita kishte bërë përpjekje disa herë për të protestuar kundër Presidentit, Ilham Alijev, por policia deri dje i ka shtypur përpjekjet.

© Panorama.al

Te lidhura