Kaja, plumbat lidhen me atentatet e fundit

Apr 6, 2011 | 9:46

BURGAJ: PO ZBARDHIM NGJARJEN/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së
Shtetit, Hysni Burgaj ka përjashtuar dje motivet politike në atentatin ndaj kreut të Inspektoratit Ndërtimor në Bashkinë e Tiranës. Hetuesit e policisë pohojnë se autorët e krimit nuk kanë pasur si qëllim vrasjen e Ardit Kajës, por sipas tyre kanë dashur të transmetojnë një mesazh që lidhet me atentatet e fundit në Tiranë

Policia e Tiranës konfirmoi faktin se atentati i dy ditëve më parë në qendër të kryeqytetit ndaj kryeinspektorit të Bashkisë, Ardit Kaja, nuk ka lidhje me flamujt e LSI-së.Madje drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, në një prononcim për mediat, përjashtoi mundësinë e një atentati për motive politike, të 37-vjeçarit, Kaja. Hetimet për zbulimin e autorëve të plagosjes me silenciator të kreut të Inspektoriatit Ndërtimor janë përqendruar më shumë në lidhje me detyrën e tij, ndonjë mosmarrëveshje për ndërtimet pa leje. Gjithashtu, janë bërë pjesë e hetimit edhe incidentet që ai ka pasur në të shkuarën, qoftë në periudhën kur ishte deputet i Bulqizës, apo edhe si zyrtar i Bashkisë së Tiranës. Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se nga provat e gjurmët e vendit të ngjarjes, por edhe nga mënyra se si ndodhi atentati i dy ditëve më parë ndaj Kajës, rezulton që autorët nuk kanë pasur si qëllim vrasjen e tij. “Dy persona me kaska në kokë, mbi një motor të shpejtë, të pajisur me armë me silenciator, duken të përgatitur dhe mjaft të specializuar dhe në këto kushte kishin çdo mundësi që të kryenin vrasjen. Por në fakt, Kajën e goditi një plumb i vetëm në këmbë. Në raste të ngjashme të hetuara edhe më parë, ky është një mesazh që i është transmetuar, por qëllimi i ngjarjes nuk ishte vrasja”, thanë dje burime të sigurta nga grupi hetimor.
MESAZHI I ATENTATIT
Ekspertët e policisë së kryeqytetit, por edhe oficerë të Krimeve të Rënda i kanë bërë një analizë të detajuar dinamikës së ngjarjes, vendit ku ndodhi atentati, mënyrës si është qëlluar me armë dhe mjeteve të përdorura nga autorët. Një atentat i ndodhur në mes të Tiranës, pranë Bashkisë, në një zonë të ngarkuar nga trafiku për shkak të punimeve në sheshin “Skënderbej” dhe mjaft të populluar, për ekspertët e grupit hetimor ishte vetëm një paralajmërim. Persona të caktuar, përmes dy personave me motor që qëlluan me pistoletë me silenciator në drejtim të makinës së kryeinspektorit, Ardit Kaja, sipas policisë, i transmetuan një mesazh, por nuk kishin ndërmend ta vrisnin. Fakti që ngjarja ndodhi pikërisht para Bashkisë, në mes të ditës dhe në një zonë ku ka mjaft lëvizje, grupin hetimor i interpreton si një sinjal, për Kajën, që mund të deshifrohet me fjalët, “Ne mund të vrasim edhe pranë zyrës tënde”. Por kjo mund të interpretohet edhe si një mesazh që, përveç Ardit Kajës, i është transmetuar edhe ndonjë personi tjetër. Të paktën në këtë mënyrë shpjegohet goditja me një plumb të vetëm në kofshë, që nuk i rrezikoi jetën 37-vjeçarit, nga persona të përgatitur me mjete të sofistikuara. Nga ana tjetër, burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se ekzistojnë dyshime që plagosja e Ardit Kajës të ketë lidhje me ngjarje të ngjashme që kanë ndodhur dy javët e fundit në Tiranë.
ATENTATI
Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, i shpëtoi mëngjesin e së hënës një atentati, teksa po lëvizte me makinën e tij nga Ministria e Bujqësisë drejt zyrës te Bashkia. Kaja arriti t’i shpëtojë objektivit të një arme me silenciator të atentatorëve, duke u goditur vetëm nga një plumb i vetëm në këmbën e majtë, që nuk solli rrezik për jetën e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 09:30 të mëngjesit, kur kryeinspektori Kaja udhëtonte me makinën e tij tip “Hyndai” me targë TR 8116 R, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në hapësirën mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Brendshme. Ardit Kaja është goditur në kofshën e majtë dhe fatmirësisht sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, nuk ka pasur rrezik për jetën.

Kaja largohet nga spitali

Pasditen e djeshme, rreth orës 18:00, kryeinspektori i Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, ka lënë pavijonin e Spitalit Ushtarak dhe është zhvendosur për të vazhduar mjekimin në shtëpinë e tij, tek zona e Ushtarit të panjohur në kryeqytet. Pasi janë siguruar se plaga që Kaja ka në kofshën e majtë, nga goditja me plumb, nuk do të infektohej, kanë lejuara largimin e tij nga spitali, duke i dhënë mjekimin e nevojshëm për ta vazhduar në shtëpi. Mësohet se Kaja është larguar nga spitali pasditen e djeshme, me makinën e një të afërmit të tij dhe sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore tashmë është stabilizuar dhe plaga nuk përbën asnjë rrezik për të.

Burgaj: Të caktohen zonat për flamujt
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u shpreh dje pas një takimi me vartësit e tij, të cilët nisën trajnimin për zgjedhjet, se do të presë një vendim të Këshillit Bashkiak të Tiranës lidhur me vendin ku duhet të vendosen simbolet politike. “Të gjitha bashkitë duhet të marrin vendim se në cilat zona lejohen flamujt politikë, dhe në cilat jo. Ne jemi të hapur për të zbatuar çdo vendim të ligjshëm”, u shpreh Burgaj. Ndërsa theksoi se Bashkia vetëm dy ditë më parë ka dërguar një letër në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku bën të ditur kërkesat. Sipas Burgajit, policia është e vendosur të veprojë për çdo veprim të jashtëligjshëm.

Bashkia: Nuk i përcaktojmë ne vendet e flamujve
Bashkia e Tiranës reagon pas deklaratave të  drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe kërkesën drejtuar Bashkisë për përcaktimin e vendeve ku ndalohet vendosja e flamujve dhe materialeve zgjedhore. “Bashkia e Tiranës dhe çdo njësi e qeverisjes vendore nuk përcakton vende se ku ndalohet vendosja e materialeve zgjedhore. Ndalimin e tyre e bën ligji, i cili përcakton se ndalohet vendosja e çdo materiali zgjedhor propagandistik në çdo hapësirë publike, për të cilat nuk është dhënë leja përkatëse nga organi kompetent”, thuhet në deklaratën e Bashkisë.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura