“Jemi të kënaqur me Damaskun”- Trump i kërkon Izraelit të mos e sulmojë Sirinë: Ndërhyrja mund të dëmtojë tranzicionin!

Dec 1, 2025 | 20:39

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, e paralajmëroi Izraelin sot më 1 dhjetor, të mos ndërhyjë në Siri, pasi kjo mund të dëmtojë tranzicionin e tij drejt një “vend të begatë”.

donald trump dhe presidenti sirian

“Është shumë e rëndësishme që Izraeli të mbajë një dialog të fortë dhe të vërtetë me Sirinë, që asgjë të mos ndërhyjë në transformimin e Sirisë në një vend të begatë”, tha ai në një postim në platformën Truth Social, duke theksuar se SHBA-të janë “shumë të kënaqura me rezultatet” e paraqitura nga Damasku.

Të premten e kaluar, 13 persona u vranë kur forcat izraelite bastisën një fshat në Sirinë jugore. Ushtria izraelite thotë se shënjestroi një grup islamist.

Që nga rrëzimi i ish-Presidentit Bashar al-Assad një vit më parë, Izraeli e ka goditur vendin qindra herë dhe forcat e tij pushtojnë rregullisht Sirinë jugore. Operacioni i së premtes ishte më vdekjeprurësi dhe Ministria e Jashtme Siriane e quajti atë një “krim lufte”.

Në fillim të nëntorit, Trump priti në Shtëpinë e Bardhë Presidentin e ri të Sirisë, Ahmad al-Sarrah, dhe gjatë takimit të tyre të përzemërt, ish-xhihadisti njoftoi se vendi i tij do t’i bashkohej koalicionit ndërkombëtar kundër Shtetit Islamik.

“Presidenti i ri i Sirisë po punon me zell për të siguruar që të ndodhin gjëra të mira dhe që Siria dhe Izraeli të kenë një marrëdhënie të gjatë dhe të begatë në të ardhmen. Është një mundësi historike që ndërtohet mbi suksesin e arritur tashmë për paqen në Lindjen e Mesme”, shtoi Trump.

Pas rënies së Assadit, Izraeli vendosi trupa në zonën e demilitarizuar të Golanit, përtej vijës së demarkacionit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vizitoi ushtarët e stacionuar atje më 19 nëntor dhe tha se vendi i tij i kushton “rëndësi të madhe” pranisë së tij ushtarake në zonën që supozohet se është nën kontrollin e OKB-së. Vizita e Netanyahut u dënua si nga Siria, ashtu edhe nga OKB-ja.

© Panorama.al

Te lidhura