PRISHTINE- Atifete Jahjaga nuk ishte befasuar kur emri i saj doli si e nominuara e treshes për presidente të Kosovës, pasi këtë e kishte ditur disa ditë më herët. Në intervistën e parë të gjatë televizive si presidente dhënë për emisionin Rubikon të KTV-së, Jahjaga ka rrëfyer për jetën e saj dhe historinë e zgjedhjes së saj në krye të shtetit.
Ajo tregoi se disa ditë para nominimit e kishin kontaktuar për të marrë pëlqimin e saj për këtë post. Jahjaga tha se e ka ndier obligim moral që të pranojë detyrën. Zgjedhjen e saj si presidente konsensuale e quan punë të mençur dhe se me këtë partitë kanë dëshmuar se në rend të parë janë interesat e qytetarëve.
Në këtë intervistë ekskluzive, Jahjaga ka folur edhe për dialogun më Serbinë, të cilin e sheh të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit, ndërsa thotë se veriu është çështje e brendshme e Kosovës.
Por, ajo ka dhënë një përgjigje të hapur sa i përket çështjes së kohëzgjatjes së mandatit të saj, duke thënë se do të sillet në kornizat e Kushtetues së Kosovës. E përveç politikës e policisë, e para e shtetit ka folur edhe për jetën e saj private. Presidentja e Kosovës e pëlqen Kadarenë, romanet policore, muzikën e vjetër e klasike, por nuk ka durim të shikojë deri në fund një film.











