Italia sjell prova për naftën “Virgine”

Apr 29, 2011 | 9:34
Të arrestuarit për naftën në gjykatë

Një letër-porosi e mbërritur nga Italia provon ekzistencën e kontrabandës së naftës “Virgine” gjatë vitit 2008 në Shqipëri.Pak ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës ka mbërritur një grup shkresash nga Italia. Dokumentet në fjalë përmbajnë të dhëna mbi sasinë e naftës “Virgine” (naftë e papërpunuar), që ka hyrë në territorin e Italisë nga Shqipëria gjatë vitit 2008. Të dhënat në fjalë u kërkuan nga Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Force, e cila ka vënë nën akuzë 13 persona të dyshuar se kanë futur në tregun shqiptar naftë të papërpunuar teksa e deklaronin atë si karburant të ardhur nga importi. Kompanitë që dyshohet ta kenë kryer këtë aktivitet janë “Euroil” dhe “Fisheku”, pronarët e administratorët e të cilave tashmë janë arrestuar. Prokuroria kërkoi të dhëna nga pala italiane, pas zbardhjes së faktit se ngarkesat me naftë të papastër që merreshin në Ballsh, transportoheshin formalisht në Vlorë, ku më pas, me dokumente false, nafta futej në tregun shqiptar. Karburanti i papastër, i pajisur me dokumente false, sikur kishte ardhur i përpunuar nga jashtë, përzihej 1 litër “Virgine” me 2 litra naftë të pastër dhe shitej në karburante duke shkaktuar ndotje në mjedis e amortizim për automjetet. Prokuroria e Tiranës po vazhdon hetimet në lidhje me kontrabandën e rreth 17 mijë tonëve naftë “Virgine” që është hedhur në tregun shqiptar e papastër gjatë viteve 2007-2009, ndërkohë që deklarohej si mall importi. Letër-porositë e ardhura nga Italia me tabelat e naftës që ka hyrë në këtë vend nga Shqipëria gjatë vitit 2008 tregojnë se në vendin fqinj ka mbërritur realisht 3 herë më pak naftë sesa deklarohej se ishte nisur nga Porti i Vlorës. Kjo, sipas Prokurorisë, shpjegon faktin se 2/3 e naftës së papastër që është marrë nga Ballshi, është rifutur në tregun shqiptar, ndërsa 1/3 është nxjerrë vërtet jashtë vendit për përpunim, sa për të krijuar bindjen se procesi po ecte rregullisht. Qarkullimi dhe tregtimi i naftës “Virgine” brenda vendit është i ndaluar me ligj, pasi Shqipëria nuk ka pajisje për përpunimin e kësaj lënde. Për këtë çështje, Prokuroria urdhëroi arrestimin e shtetasve: Hajri Elezaj, pronar i kompanisë së karburanteve “Euroil” dhe Iliaz Fisheku, pronar i kompanisë “Fisheku” sh.a. Urdhër-arresti për këtë çështje u lëshua edhe për dy tregtarët, Martin Fisheku dhe Bajram Fisheku, për inspektorin e Tatimeve të Fierit, Dashamir Kasajn, e doganierin e Vlorës, Edmond Ferraj. Personat e tjerë që u arrestuan janë shtetasit: Flamur Merkaj, Vladimir Koteci, Gani Prençe, Reshat Aleksi dhe Kadri Hajredini, të gjithë punonjës të dy kompanive të mëdha, që kanë kryer qarkullimin e naftës “Virgine”, duke e hedhur atë në treg të papastër. Ata akuzohen se kanë kryer veprat penale të “mashtrimit me pasoja të rënda”, “shpërdorimit të detyrës”, “falsifikimit të dokumenteve” dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale”. tr.so

Zbulohen 6 llogari bankare

Në kuadër të hetimeve mbi kontrabandën e naftës “Virgine”, Prokuroria ka kërkuar informacion mbi pasuritë që disponojnë kompanitë “Euroil” dhe “Fisheku”. Sipas Prokurorisë, deri tani janë marrë informacione në lidhje me gjashtë llogari bankare, por shumat që disponohen në to nuk janë ende të qarta. Nga të dhënat e deritanishme, sipas Prokurorisë, shumat financiare të përfituara nga tregtimi i naftës si dhe detyrimet për transportimin e kësaj lënde dhe shërbimet tjera, janë përballuar nga kompania “Euroil”. Kjo kompani ka pasur kapitalin më të madh sesa “Fisheku”, ndonëse të dyja ato, kapitalet e tyre në Vlorë, Fier dhe në Durrës, i kanë “të padukshme”, pasi nuk kanë pronësuar asgjë, duke punuar me depozita dhe pajisje të marra me qira.

© Panorama.al

Te lidhura