Ish-kreu i PS mbështet LSI

Apr 20, 2011 | 10:49

Ndoc Lleshi, ish-kryetar i PS-së së Lezhës, bashkë me një grup anëtarësh dhe simpatizantësh, mbështesin Viktor Tushën për këtë bashki. Përmes një prononcimi për gazetën “Panorama”, ky grup jep dhe arsyet pse e kanë marrë një vendim të tillë.Lleshi hedh akuza për mënyrën se si u përcaktuan dhe u përzgjodhën kandidaturat për kryetarë bashkie, komunash dhe për këshilltarë. “Në emrin tim dhe jo vetëm, denoncoj praktikat klienteliste, të fshehta dhe jotransparente, jostatutore dhe jodemokratike të përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar të njësive vendore dhe të listave për këshilltarë për këto njësi, të ndodhura në minutën e fundit, duke nëpërkëmbur vullnetet, kontributet, investimin dhe vlerat përfaqësuese, duke sjellë para publikut në kandidim dhe ballafaqim mungesë cilësie, performancë të dobët, si dhe prurje të katapultuara në errësirë të plotë informative”, shprehet Lleshi. Sipas tij, “e gjitha kjo është produkt dhe rezultante e privatizimit të plotë të PS (ish-socialiste) nga Edi Rama dhe beniaminët e tij aksionerë të PS-së në Lezhë”. Ata shprehen se do ta mbështesin kandidaturën e Viktor Tushës, pasi, sipas tyre, kjo kandidaturë është kërkuar prej kohësh nga kryesocialisti Rama, duke e cilësuar më të mirin për Bashkinë e Lezhës. “Për herë të fundit do të çojmë në vend vlerësimin dhe dëshirën e Edi Ramës për të votuar Viktor Tushën për kryetar bashkie sepse: së pari, Edi e ka vlerësuar Viktorin si më të mirin, e ka lutur mbi një vit për të qenë kandidati ynë, besohet si më i miri. Për asnjërin prej nesh nuk e ka bërë këtë, madje nuk na ka konsideruar fare. Asnjë ditë të vetme Partia Socialiste, nëpërmjet këshilltarëve apo strukturave të saj nuk ka bërë opozitë, nuk e ka kundërshtuar, madje as qortuar, madje e ka mbështetur fuqimisht. Nuk mund të pranohet se ai është bërë i keq për faktin se nuk pranoi të vijë në PS. Po ashtu, nuk mund të jenë bërë të mirë për një minutë kandidatët tanë të PD-së të ardhur te PS-ja vetëm për këtë fakt”, shprehen në prononcimin e tyre ish-drejtuesit socialistë të PS-së Lezhë. Duke vlerësuar punën e Tushës në krye të Bashkisë së Lezhës, grupi i socialistëve që e mbështet atë shprehet se qyteti ka ndryshuar më shumë në vitet e fundit. “Viktori, për qytetarët e thjeshtë, është i edukuar, me etikë administrative, i komunikueshëm, i arsyetueshëm, i mirarsimuar dhe në mandatin e tij është punuar për sot e për perspektivën e Lezhës, më shumë se 11 vite të marra së bashku, e kjo nuk mund të mohohet. Aq më tepër është punuar e menduar në bllok për gjithë qytetin, për të gjitha lagjet e tij, pa diferencim, duke përparësuar periferinë, të lënë pas dore, të persekutuar e të diferencuar në periudhën 2000-2007, kryesisht ku ka banorë në shumicë nga komunitetet jo shumë preferenciale”, shprehen socialistë e larguar nga PS. Ata shprehen se Partia Socialiste është mbushur me njerëz të ish-partive të tjera të djathta, ndërsa tregojnë dhe “kriteret” që kërkohen për të qenë pjesë e saj. “PS është mbushur me anëtarë njëpërdorimsha, të ardhur nga të gjitha partitë politike, madje me dy apo tre anëtarësi. I vetmi test konkurrimi është: numri i mitingashëve që ti mund të dërgosh nëpër mitingje, shpeshherë të pakuptimta; largësia e hedhjes së gurit nga viza imagjinare në oborr; teknologjia e sharjeve e larmia e fjalorit banal në publik; numri i lëvdatave për liderin legjendar, i cili është në delir jo vetëm për efekt të gjatësisë së tij. Po të kesh lekë, je i votuar”, shprehen në prononcimin e tyre të gjatë një grup socialistësh, mes të cilëve dhe ish-kreu i PS-së në Lezhë, Ndoc Lleshi.

Kandidaturat

Për Bashkinë e Lezhës në garë janë dy kandidatë. Kandidati i koalicionit “Aleanca për qytetarin” është kreu aktual i Bashkisë, Viktor Tusha, i mandatuari i LSI-së që mbështetet nga maxhoranca aktuale. Përballë tij është kandidati i koalicionit të majtë, “Aleanca për të ardhmen”, Gjok Jaku, ish-deputet i kësaj legjislature dhe ish-kryetar i Bashkisë Lezhë deri në 2007-n. Gara kësaj radhe në Lezhë është mes dy kandidatëve të majtë, të cilët në 2007-n ishin në krah të njëri-tjetrit.

LSI prezanton kandidatin në Trebinjë
Zv.kryeministri, njëkohësisht zv.kryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto, prezantoi dje kandidatin e koalicionit “Aleanca për qytetarin” në komunën e Trebinjës në Pogradec, Femi Jasharllari. Me këtë rast, Haxhinasto shprehu optimizmin për fitoren e koalicionit ku LSI bën pjesë, duke argumentuar: “Kandidati i Aleancës për Qytetarin do të fitojë, sepse ai mbështetet nga koalicioni që i dha dritë dhe i hapi rrugët Shqipërisë. Është ky koalicion që e vendosi Shqipërinë në një vend të rëndësishëm dhe partnere për vendet e rajonit, Europës dhe botës”. Duke folur për arritjet e këtij koalicioni qeverisës, Haxhinasto u shpreh se arritja më e madhe që ka bërë ky koalicion që në vitin e parë, ka qenë heqja e vizave për të gjithë shqiptarët. “Ne jemi sot në një fushatë të papërmbajtur dhe fitorja do të jetë shumë e thellë jo vetëm në Trebinjë, por në shumë qytete të tjera kryesore të vendit, sepse qytetarët kërkojnë zgjidhje”,  tha ai.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura