
Gjykata e Tiranës zbardh vendimin që caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje” ndaj Krenar Bajës, i arrestuari pas një sherri për motive elektorale pasditen e 10 prillit, në zonën e Bathores në kryeqytet.Autori i ngjarjes, Krenar Baja, 21 vjeç, u arrestua në kushtet e flagrancës, pasi po këtë ditë qëlloi me sende të forta automjetet e dy simpatizantëve të Partisë Socialiste, të cilave u shkaktoi dëme fizike. Sipas prokurorisë, ai akuzohet për veprën penale të “shkatërrimit të pronës” në dëm dy simpatizantëve të PS-së, Elvis Vladi, nipi i drejtorit të Forcave Speciale në polici, Shemsi Prençi dhe Ardian Aliu. Në vendimin e gjykatës, referuar dëshmive të dhëna nga të dëmtuarit, thuhej se 21-vjeçari Baja ishte afruar tek autokolona e simpatizantëve të PS-së, nën shoqërinë e disa personave të tjerë me të cilët ka goditur automjetet e “kundërshtarëve” politikë. Po sipas vendimit, bëhet e ditur se goditja e automjeteve me sende të forta është pranuar nga vetë i akuzuari Baja, pas arrestimit të tij. Në vijim, paraqitet konflikti i ndodhur në Bathore, sipas vendimit të gjykatës.
NGJARJA
Më datë 10.04.2011 pasdite, shërbimet e policisë së Komisariatit Nr.5 Tiranë janë njoftuar se në rrugën “Albavia”, Qendër-Bathore është dëmtuar automjeti “Volsvagen Bora” me traga X 461 VAP, në pronësi të shtetasit Elvis Vladi dhe automjeti “Golf” me targa TR4640S në pronësi të shtetasit Ardian Aliu. Në automjetin “Volsvagen Bora” me targa të huaja X461VAP janë konstatuar dëmtime shtypje tek pjesa e pasme, dera e pasagjerit dhe një shtypje në anën e pasme në krahun e majtë. Në automjetin “Golf” me targa TR.4640S janë konstatuar dëmtime në derën e pasme. Po ashtu, dëmtime janë parë tek kolona lidhëse nga ana e pasagjerit, dëmtim i shkaktuar me mjet të fortë dhe tek xhami i krahut të shoferit. “Nga deklarimet e dhëna, i dëmtuari Elvis Vladi ka shpjeguar se më datën 10.04.2011 rreth orës 15:30 ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij, së bashku në autokolonë me mjete të tjera simpatizante të Partisë Socialiste në rrugën Qendër-Bathore “Albavia”. Gjatë kësaj lëvizjeje, ai ka qenë i fundit dhe rrugës ka parë shtetasin Krenar Baja, së bashku me disa persona të tjerë, të cilët pas disa sekondash i janë afruar tek mjeti dhe disa sende të forta kanë goditur makinën. Gjithashtu, i dëmtuari Ardian Aliu ka shpjeguar të njëjtat rrethana dhe duke sqaruar se një grup djemsh i janë afruar automjetit të tij dhe e kanë goditur makinën me mjete të forta. Një fakt të tillë e pranon dhe vetë personi nën hetim, Krenar Baja”, thuhej në vendimin e gjykatës.
Zv.ministri Peka thirret në Prokurori
TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka marrë kontakt dje me zv.ministrin e Brendshëm, Avenir Peka, duke i kërkuar atij të paraqitet në zyrat e organit të akuzës, për të dhënë shpjegime në lidhje me paditë e ndërsjella të bëra mes tij dhe drejtorit të forcave speciale, Shemsi Prençi. Peka është shprehur i gatshëm, por dje ka qenë në një angazhim me detyrë jashtë Tiranës. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, pas shqyrtimit 2-javor të padive që u bënë në Prokurori nga zv.ministri i Brendshëm, Avenir Peka dhe drejtori i forcave speciale në polici, Shemsi Prençi, organi i akuzës ka nisur hetimet dhe ka vendosur të marrë deklarime nga dy protagonistët e ngjarjes. Shemsi Prençi akuzoi Pekën se e kishte kërcënuar, pasi zyrtari i policisë kundërshtoi angazhimin e forcave speciale në incidentin elektoral të Bathores, ndërkohë zv.ministri i Brendshëm pretendoi se zyrtari i policisë kreu shpifje ndaj tij.
Rreh militantin e PD, kapet ne Paskuqan
Policia e Tiranës arrestoi dje një shtetas, i akuzuar se ka ushtruar dhunë ndaj një mbështetësi të Partisë Demokratike në Paskuqan. Sipas burimeve zyrtare nga Policia, shtetasi Gjin Mark Prenga, 52 vjeç, do të ndiqet penalisht për konsumim të veprës penale të “Dëmtime të tjera me dashje”. Ai akuzohet se ditën e mërkurë, rreth orës ora 17.00, ka qëlluar shtetasin Juxhino Zaja, 20 vjeç, i cili ka qenë duke vendosur flamurë në një shtyllë për subjektin politik Partia Demokratike. Në këto veprime, ai është penguar dhe goditur nga disa shtetas, ku njëri prej tyre është identifikuar dhe shoqëruar menjëherë nga policia.
© Panorama.al











