Incidentet, Topi: Përgjegjësi e partive

Apr 13, 2011 | 13:19

Presidenti i Republikës apeloi dje për qetësi dhe shmangie incidentesh gjatë fushatës zgjedhore. Kreu i shtetit e bëri këtë apel gjatë një takimi të zhvilluar dje me përfaqësues shqiptarë të organizatës botërore kundër korrupsionit “Transparency International”. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe drejtues të forumit shqiptar, “Mendimi i Lirë”. Duke folur për situatën aktuale politike dhe fushatën e zgjedhjeve vendore, Presidenti nënvizoi “rëndësinë e bërjes transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës, në përputhje dhe zbatim të ligjit”, informoi zyra e shtypit e Presidencës. Gjatë fjalës së tij, Presidenti Topi e vuri theksin tek nevoja e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike, duke konsideruar si “të domosdoshme prezantimin e alternativave bindëse në shërbim të qytetarëve dhe uljen e tensioneve të panevojshme”. I shqetësuar nga përshkallëzimi i incidenteve gjatë fushatës zgjedhore, Kreu i Shtetit theksoi “nevojën e shmangies së dhunës fizike gjatë fushatës zgjedhore, e cila vjen natyrshëm pas dhunës verbale të përdorur nga disa kandidatë, sepse përgjegjësia e plotë për këto do të bjerë vetëm mbi partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre.” Presidenti Topi, duke folur për gjendjen aktuale politike në vend dhe fushatën e zgjedhjeve vendore, ku nënvizoi “rëndësinë e bërjes transparente të financimeve të partive politike dhe fushatës, në përputhje dhe zbatim të ligjit”, apeloi edhe njëherë për nevojën e realizimit me sukses të këtyre zgjedhjeve përmes një procesi të drejtë e korrekt zgjedhor dhe sipas standardeve demokratike. Nisur nga raportet tashmë të hartuara prej tyre mbi gjendjen e financimeve të partive politike, përfaqësuesit e TIA-s vlerësuan ndryshimet në ligjin mbi partitë politike kryesisht për financimet, por theksuan se këto ndryshime ende nuk japin garancinë e transparencës së kërkuar për burimet financiare të partive politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin shumëvjeçar të organizatës globale “Transparency International”, si një rrjet që tenton të nxisë qeveritë në zbatimin e reformave antikorrupsion si dhe misionin që ky organizëm vijon të kryejë në hulumtimin dhe evidentimin e fenomeneve korruptive në vende të ndryshme të globit.

© Panorama.al

Te lidhura