Incidentet, Topi: Fushatë qytetare

Apr 5, 2011 | 10:30

Presidenti i Republikës u kërkoi partive politike dhe simpatizantëve të tyre fushatë qytetare.Në një prononcim për mediat, pas vizitës në Batalionin e Forcës Speciale Tokësore në Zall-Herr, kreu i shtetit shprehu shqetësim për situatën politike në vend në prag të zgjedhjeve vendore të 8 majit. “Pa dyshim, ne duhet të dimë të sillemi në mënyrë të qytetëruar, duke filluar nga politika dhe të gjithë simpatizantët e saj. 8 maji, sikurse e kam thënë, është një ditë që duhet konsideruar si një ditë feste dhe absolutisht jo si një ditë ku partitë politike apo militantët të demonstrojnë një fjalor, i cili nuk i shkon për shtat pikërisht këtij konteksti që unë sapo përmenda”, u shpreh kreu i shtetit. Për Presidentin e Republikës, “Shqipëria është  një vend i NATO-s dhe nuk jemi bërë vend i NATO-s pa një të kaluar të vlerësueshme, sepse jemi bërë mbi bazën e shumë reformave, mbi bazën e mjaft bashkëpunimeve të rëndësishme, edhe politike, edhe institucionale”. Kreu i shtetit i bëri apel faktorit politik të zhvillojë fushatë qytetare dhe t’i dallojë zgjedhjet e 8 majit nga zgjedhjet politike. Duke iu përgjigjur deklaratave të kreut socialist Rama se zgjedhjet e 8 majit janë referendum kundër qeverisë aktuale, kreu i shtetit kërkoi që në këto zgjedhje të shpalosen projekte alternative për qytetarët. “Unë dëshiroj të bëj një apel për të gjithë: Të futemi në fushatën zyrtare zgjedhore me një sjellje qytetare, me një sjellje që t’i ngjajë politikës së vendeve europiane ku ne dëshirojmë të aderojmë! Të futemi me alternativa konkrete, ku partitë politike të marrin në dorë realisht fushatën politike për ta bërë atë qytetare, në shërbim të qytetarit, sepse janë zgjedhje administrative, të cilat duhet të jenë zgjedhje, në radhë të parë, në shërbim të qytetarit, për gjëra konkrete”, u shpreh kreu i shtetit. Duke këmbëngulur te rëndësia e këtyre zgjedhjeve për qytetarin e thjeshtë, presidenti Topi i kujtoi politikës se dita e zgjedhjeve duhet të jetë një pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve që do të votojnë për pushtetin e tyre lokal. “Kam thënë edhe herë tjetër që duhet të ndajmë në mënyrë të qartë fizionominë e zgjedhjeve. Zgjedhjet lokale janë zgjedhje që kanë patjetër projekte konkrete reale, ndërsa zgjedhjet politike të përgjithshme, natyrisht që kanë një politikë më të madhe, një politikë që shkon në linja të tjera, por gjithsesi, uroj që kjo fushatë të bëhet e matur, me qytetari dhe uroj që dita e zgjedhjeve, të jetë një ditë ku të marrin pjesë shumë qytetarë të thjeshtë në këto zgjedhje, sepse pa dyshim do të votojnë për pushtetin e tyre”, u shpreh Topi. Ditët e fundit fushata zgjedhore e partive politike është shoqëruar nga incidente të rënda, ku janë përdorur armët e zjarrit dhe janë plagosur kandidatë për komuna. Duke nënvizuar zhvillimet e Shqipërisë në krah të vendeve të Aleancës Euroatlantike, presidenti Topi përshëndeti dyvjetorin e anëtarësimit në NATO. “Dëshiroj të përshëndes 4 prillin, që është një ditë e shënuar për vendet anëtare të NATO-s, pasi 62 vite më parë është themeluar NATO-ja, aleanca më e madhe politike-ushtarake, aleanca më e madhe e paqes dhe e sigurisë në botë. Por sot është dhe dyvjetori i pranimit të Shqipërisë si vend me të drejta të plota në këtë Aleancë”, u shpreh presidenti Topi.

 

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura