Presidenti i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka marrë një tjetër avokat mbrojtës, Gylsen Zhllima. Kjo bëri që seanca paraprake ndaj tij të shtyhet për në datën 5 dhjetor.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani tha se përveç mbrojtesit te dyte ligjor, edhe Meta do te njihet me aktet. Ai deklaroi se nga sot do te nise beteja me regjimin e Rames.
“Meta do të jetë në çdo seancë, ai kërkon që të përballet dhe padyshim do jetë në çdo seancë për të dëgjuar çdo pretendim dhe do japë cdo përgjigje dhe do bëjë çdo parashtrim për akuzën që është ngritur. Meta nga sot do jetë i pranishëm në cdo seancë.
Meta ka patur qëndrim korrekt, është i relaksuar, ndoshta palestra dhe shkrimi që po bën për librin që do nxjerrë e ka relaksuar. Pa dyshim edhe prezenca e avokatit e ka relaksuar”, tha avokati Kujtim Cakrani.
GJKKO do të vendosë për kalimin ose jo të dosjes për gjykim. Më herët, seancat janë shtyrë për shkak të kërkesave të avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga çështja me argumentin se është në konflikt interesi pasi po hetohet nga SPAK për akuzat e ngritura më herët nga Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Avokati i Metës po ashtu pretendon se SPAK ka shkelur procedurën me paraqitjen e provave të reja lidhur me lobimin e LSI në SHBA, në një kohë kur hetimet për dosjen i ka mbyllur që në korrik.
© Panorama.al











