ILDKP: Basha, i pastër me pasurinë

Apr 26, 2011 | 10:29

Dosja e pasurisë së ish-ministrit të Brendshëm që garon për Bashkinë e Tiranës si kandidat i maxhorancës, Lulzim Basha, rezulton e pastër.Pas akuzave të opozitës se ai gënjeu me aktet noteriale dhe vlerën e shitblerjes së një apartamenti në Holandë, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP), siguron opinionin publik për të kundërtën. Sipas këtij institucioni, që është kompetent për vërtetësinë ose jo të pasurisë së zyrtarëve, Lulzim Basha ka deklaruar saktësisht vlerën e blerjes së apartamentit. ILDKP, në përmbushje të transparencës maksimale, ndjek me vëmendje të gjitha informacionet mediatike që lidhen me interesat private të zyrtarëve, subjekte që deklarojnë periodikisht sipas ligjit. Në raportin e kontrollit të plotë mbi deklarimin “para fillimit të detyrës” të subjektit Lulzim Basha, të përfunduar më 04.12.2006,  rezulton se vlera e blerjes së apartamentit është e saktë me vlerën e deklaruar nga subjekti, gjithsej 510 000 GNL”, thuhet në  njoftimin zyrtar të ILDK-së, njoftim, i cili shoqërohet edhe me detajet e shitblerjes së këtij apartamenti. Në deklaratën “Para fillimit të detyrës”, të dorëzuar në ILDKP më 4.10.2005, subjekti (Lulzim Basha) ka deklaruar, ndër të tjera, “apartament në Utrecht, Holandë, në vlerën 510 000 gulden holandezë (GNL)”. Më datë 25.10.2005, Inspektorati i Lartë thotë se ka nisur procedurën e kontrollit të plotë për zyrtarin Lulzim Basha. “Për të realizuar një hetim sa më të detajuar mbi interesat private të subjektit, një grup kontrolli kreu verifikime në Utrecht të Holandës, ku është marrë informacion në Zyrën Kadastrale të këtij qyteti, si edhe pranë bankave ‘Post-Bank Amsterdam’ dhe ‘ABN-ARMO’, Utrecht, Holandë”, thekson ILDKP-ja. Pas këtyre hetimeve institucionale, ILDKP-ja saktëson shifrat e shumës së përgjithshme prej 510 000 guldenësh holandezë: “Nga kontrata e shitblerjes, administruar në ILDKP, rezulton se apartamenti është blerë në shumën 480 690 (GNL), e cila përbëhet nga 445 454 GNL, plus 45 000 GNL, e cila është depozitë garanci për kredinë e marrë. Kjo e dhënë është sqaruar nga subjekti në proces-verbalin e mbajtur në ILDKP më 30.09.2006. Ndërsa diferenca prej 29 310 GNL (10 407 euro), është shuma e deklaruar nga subjekti si rentë për kredinë e apartamentit. Gjithashtu, nga të dhënat rezulton se burimi i blerjes së këtij apartamenti është një kredi e marrë në “Post-Bank”, në shumën 204 000 euro, e konvertuar me kursin e kohës, rreth 480 000 GNL. Pra, vlera e blerjes së apartamentit është e saktë me vlerën e deklaruar nga subjekti, gjithsej 510 000 GNL”.

Hetimi i inspektoratit

480 000 gulden holandezë
(GNL) – kredia e marrë në “Post Bank”, e konvertuar në euro me kursin e kohës 204 000 euro. Kjo shumë është përdorur për blerjen e apartamentit, e ndarë në “zëra” si më poshtë:

480 690 gulden holandezë
(GNL) – vlera e blerjes së apartamentit

445 454 gulden holandezë – vlera që kushton apartamenti

45 000 gulden holandezë
(GNL) – vlera depozitë garanci për kredinë e marrë

29 310 gulden holandezë
(GNL) – shuma e deklaruar nga subjekti si rentë për kredinë e apartamentit

510 000 gulden holandezë
(GNL) – vlera totale e apartamentit të blerë në Utrecht, Holandë

ELISABETA ILNICA

© Panorama.al

Te lidhura