Idrizi: PDIU, vëmendje ndaj jetimëve

Apr 25, 2011 | 11:19

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, ka premtuar dje vëmendje të veçantë ndaj jetimëve. Në kuadër të fushatës elektorale, Idrizi është ndalur në Njësinë Nr.9 ku u shpreh se “Raporti i numrit të këshilltarëve me numrin e popullsisë do të jetë gjithashtu një nga vektorët e rëndësishëm në punën tonë. Do të ketë vëmendje të plotë edhe për një kategori sociale, siç janë jetimët duke u dhënë atyre mundësi më të mira në komunitetin ku jetojmë”. Sipas tij “PDIU ka përzgjedhur në këtë sfidë elektorale kandidatë me integritet dhe vizion të qartë për qeverisjen lokale”. Me anë të këshilltarëve kjo forcë politike do të bëjë të mundur një ndarje administrative më të mirë në shërbim të qytetarëve, duke implementuar një ligj për urbanistikën, i cili do të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm për Tiranën”, është shprehur më tej Idrizi. Ndërsa “Presidenti i Nderit” të PDIU, Tahir Muhedini, bëri thirrje për një përfaqësim sa më të madh të kësaj partie në këto zgjedhje lokale. Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet tha z.Muhedini është një parti e çështjes çame dhe asaj kombëtare, duke garantuar se platforma e saj do të gjejë zbatim dinjitoz dhe profesional në nivel vendor, me te gjithë kryetarët e bashkive, komunave dhe këshilltarët bashkiakë. “PDIU ka gjithashtu një vizion të qartë për prosperitetin ekonomik të Shqipërisë, duke hedhur idenë e një bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë e Kosovës, në konceptin e saj për një pragmatizim patriotik, i cili nis që nga kujdesi për qytetin, historinë, vlerat dhe angazhimin politik”.

© Panorama.al

Te lidhura