Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet zhvilloi një takim me qindra simpatizantë në qytetin e Fierit, ku kërkoi mbështetje në zgjedhjet e 8 majit. Kryetari Shpëtim Idrizi deklaroi se PDIU-ja do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve, ndërkohë që parashtroi edhe pikat programore të partisë. “PDIU-ja është e vetmja forcë që shtyn me presion pozitiv partitë e mëdha, sa herë që cenohen interesat e kombit tonë. PDIU-ja përpara siglave të partive vendos flamurin kombëtar. Sot duhet të mbështesim partinë tonë, partinë tuaj. E drejta mund të vonojë, por kurrë nuk do të harrojë, sepse e kemi të drejtën me vete. Qytetarët e Fierit meritojnë të jetojnë më mirë, sepse janë qytetarë europianë. Së bashku do të çojmë përpara Shqipërinë, prosperitetin dhe flamurin tonë. Rezultati i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet në zgjedhjet e 8 majit do të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve,” u shpreh kryetari i PDIU-së, Idrizi. Ai shtoi se kombi shqiptar do të është më i gjallë se kurrë dhe se pikërisht duke mbajtur flamurin e kombit do të arrijmë edhe zhvillimin e nevojshëm.
“Ideja e kombit nuk vdes kurrë. Kombi ynë sot është i gjallë. Prandaj le të harrojmë flamujtë partiakë dhe t’i përkushtohemi flamurit kombëtar. Kështu zgjidhen edhe problemet e përditshmërisë, papunësia, varfëria, etj. Zgjidhja e çështjes kombëtare, pra bashkimi ekonomik Shqipëri-Kosovë i jep një hov të paimagjinueshëm zhvillimi shqiptarëve”, tha Idrizi.











