I sëmuri plagos 16-vjeçarin

Apr 16, 2011 | 13:13

I sëmuri mendor sulmon dhunshëm me thikë 16-vjeçarin duke e plagosur rëndë atë pas një incidenti në rrugë.Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së enjtes, në lagjen e Kombinatit në Tiranës. Policia tha se Altin Liçaj, 36 vjeç, goditi me thikë në mes të shpatullave 14-vjeçarin me iniciale B. S., i cili po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak. Autori i ngjarjes është arrestuar, ndërsa nga të dhënat e grupit hetimor rezulton se ai vuante nga skizofrenia, një sëmundje që e ka të trashëguar nga nëna. Pas plagosjes së 16-vjeçarit, policia bëri kontroll në banesën e autorit të ngjarjes, në rrugën “Llazi Miho”, në apartamentin në katin e dytë të një pallati, ku është sekuestruar edhe një kartelë e lëshuar nga Spitali Nr. 5. Autori i ngjarjes, Altin Liçja, sipas kësaj kartele, ka qenë i shtruar disa herë në Spitalin Nr. 5 dhe aktualisht vazhdonte të mjekohej. Burime nga grupi hetimor thanë se motivet e ngjarjes kanë qenë banale. Sipas policisë, 14-vjeçari po rrezikon jetën në spital vetëm sepse e quajti autorin “Al Kapone”. Një fjalë të tillë, 36-vjeçari e ka marrë si ofendim dhe menjëherë e ka sulmuar minorenin, fillimisht duke u përleshur fizikisht e më pas duke e qëlluar me thikë. Në momentin kur 16-vjeçari e ka goditur me grusht, i sëmuri mendor ka nxjerrë një thikë nga brezi, duke e goditur adoleshentin në pjesën e shpinës, në mes të shpatullave. Mjekët thanë se vetëm për disa milimetra, maja e thikës nuk ka prekur zemrën. Ndonëse organet jetësore kanë shpëtuar, gjendja shëndetësore e 14-vjeçarit është mjaft kritike dhe ai vazhdon të jetë në koma.
PLAGOSJA
Në momentin kur ka ndodhur ngjarja, autori dhe i dëmtuari ndodheshin në të njëjtën rrugë, “Llambi Bonata”, ku Altin Liçaj po kontrollonte në kazanët e plehrave, ndërsa 14-vjeçari B. S. po kthehej për në shtëpi. Në atë kohë rruga ishte pothuajse e boshatisur nga kalimtarët dhe në një moment i mituri i ka thirrur të sëmurit mendor, “O Al Kapone…”, por pa qenë në dijeni të sëmundjes së tij. Kaq ka mjaftuar për “ta vënë në sedër” 36-vjeçarin me probleme psikike, i cili i është vërsulur menjëherë minorenit, pa pyetur se ai ishte veçse një fëmijë. Pas përleshjes me adoleshentin, Liçaj ka nxjerrë një thikë nga xhepi dhe e ka plagosur rëndë djalin, i cili ndodhet në gjendje mjaft kritike për jetën në Spitalin Ushtarak. Policia e Komisariatit Nr. 6 dhe oficerë të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit e kanë arrestuar menjëherë autorin e ngjarjes. Familjarët e tij, të pyetur nga policia, kanë treguar se ai ishte me probleme të rënda psikike. Sipas tyre, ai vazhdonte ende të mjekohej, por nuk pranonte që të rrinte mbyllur në shtëpi dhe rrinte gjithë ditën rrugëve duke mbledhur kanoçe për t’i shitur.

 

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura