
Vritet me thikë për motive hakmarrjeje pronari i një pastiçerie në Vlorë. Petrit Mehmetaj ndërroi jetë katër orë pas ngjarjes që ndodhi në ambientet e ëmbëltores.Sipas policisë, autori i ngjarjes është 42-vjeçari Alfred Feta, të cilit pak kohë më parë i kishte vdekur e bija si pasojë e një helmimi. Ai kishte akuzuar gjatë të gjithë kohës pronarin e pastiçerisë, duke pretenduar se vajza e tij 6 vjeçe kishte vdekur si pasojë e helmimit nga ëmbëlsirat e prishura të dyqanit. Policia e Vlorës bëri të ditur se krimi ndodhi në orët e vona të së martës në ambientet e pastiçerisë, që ndodhet në afërsi të shkollës “24 maji”.
Vrasja
Feta ka takuar pronarin e lokalit dhe fillimisht ka debatuar ashpër me të. Me pas, janë përplasur fizikisht derisa ai ka rrëmbyer një thikë që ndodhej mbi banak, duke qëlluar disa herë me thikë 54-vjeçarin. Pasi e ka lënë pa ndjenja në mes të pellgut me gjak, Feta, banor i lagjes “Rilindja”, është larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar policisë. I plagosuri është transportuar për në Spitalin e Vlorës. Mjekët pohuan se ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale. Por pas katër orësh nga mbërritja, ka ndërruar jetë për shkak se kishte humbur shumë gjak, si dhe i ishin dëmtuar organet jetësore. Drejtori i Spitalit të Vlorës, Besnik Elezi, u shpreh se viktima e djeshme, Petrit Mehmetaj, ndërroi jetë disa orë më pas, për shkak se ai kishte marrë dëmtime të rënda në veshka dhe mëlçi, si dhe kishte pësuar hematoma. Ai ndërroi jetë rreth orës 04.00. Pas identifikimit të autorit, policia kodoi operacionin “Rilindja” dhe pas disa orësh arriti të arrestojë autorin. Ai u ndalua në rrugën nacionale Vlorë-Fier në vendin e quajtur “Kripa”. 42-vjeçari ishte nisur drejt Durrësit për t’u strehuar tek disa të afërm të tij.
Dëshmia

Nga hetimet e kryera, si dhe dëshmia e vetë të arrestuarit, rezultoi se ngjarja e rëndë ka ndodhur për hakmarrje. Mësohet se më 6 janar të këtij viti, vajza e autorit, Artemisa Feta kishte pasur ditëlindjen. Për të festuar me familjarët e saj, ajo kishte blerë një tortë dhe disa çokollata në pastiçerinë e 54-vjeçarit Mehmetaj. Por pasi kishte konsumuar ëmbëlsirat, vajza ishte ndier keq dhe kishte shfaqur shenja të helmimit. Prindërit e saj e kishin çuar në spital, por mjekët konfirmuan se tre ditë më pas, më 9 janar, e mitura kishte ndërruar jetë. “Vajza bleu një tortë dhe disa çokollata në embëltoren “Dashuria”, pronë e Petrit Mehmetajt. Pasi festuam ditëlindjen e saj më 6 janar, ajo filloi të kishte dhimbje koke, të vjella dhe diarre. Ditën tjetër, kur vajza nuk u përmirësua, e dërguam në spital në gjendje të rëndë, por pas dy ditësh gjeti vdekjen nga helmimi. Mjekët na thanë se vajza kishte vdekur nga helmimi i ushqimeve që kishte konsumuar më parë. Kjo u konfirmua dhe nga autopsia që iu bë vajzës pas vdekjes. Pas asaj që ndodhi, i thashë Mehmetajt se vajza ime kishte vdekur prej tortës dhe çokollatave që kisha blerë tek ai, por ai nuk e pranoi. Nga dhimbja e humbjes së vajzës debatova edhe mbrëmë (të martën). U përplasëm fizikisht dhe më pas nuk mbaj mend çfarë kam bërë. U nisa të shkoja tek të afërmit e mi në Durrës, nuk dija ku të shkoja, s’po kontrolloja dot më veten”. Kështu ka deklaruar pas arrestimit 42-vjeçari.
Sipas të afërmve të tij, ai kishte debatuar disa herë me pronarin e pastiçerisë, duke e akuzuar atë si përgjegjës të tragjedisë që i kishte ndodhur në familje. Burime të policisë pohuan se me gjithë përplasjen e vazhdueshme gjatë këtyre muajve, Feta nuk kishte kryer denoncim ndaj pronarit të ëmbëltores.
Te AFERMIT
Të afërmit e autorit të vrasjes që ndodhi të martën në mbrëmje pohuan se Alfred Feta kishte kaluar në gjendje depresive, qëkur i vdiq vajza. Ai ishte i papunë dhe në gjendje të vështirë ekonomike, ndërsa kohët e fundit kishte nisur të konsumonte edhe alkool, si e vetmja mënyrë për të përballuar dhimbjen. Ai kishte pasur disa herë përplasje me pronarin e pastiçerisë, por askush nuk e kishte menduar se ngjarja do të precipitonte deri në vrasje. Mësohet se Feta ka edhe dy vajza të tjera.
PRECEDENTI
Më 23 shtator 2007, dy motra gjashtë dhe tetë vjeçe u shtruan në pediatrinë e Vlorës, në gjendje të rëndë pas një helmimi. Ato kishin konsumuar ushqim në një fast-food që ndodhej pak metra larg shkollës së tyre. Pak orë më pas, të miturat janë ndier keq, me simptoma të një helmimi. Prindërit e tyre i kanë dërguar në spital, por me gjithë ndërhyrjen e mjekëve, vogëlushja Kejsi Mihasi ndërroi jetë. Ndërsa motra e saj, dy vjet më e madhe, Gonxhja, arriti t’i mbijetojë helmimit të rëndë.
Të afërmit: Të gjithë u helmuan, por vdiq e vogla
Të afërm të Alfred Fetës u shprehën dje se ngjarja kishte ndodhur në kushtet e një depresioni të rëndë të tij, si pasojë e humbjes së vajzës 6 vjeçe nga helmimi. “Gjithçka ndodhi pasi vajza u helmua nga konsumi i tortës dhe çokollatave që kishte marrë për të festuar ditëlindjen në ëmbëltoren “Dashuria”, u shprehën të afërm të të arrestuarit. Ata pohuan se pas ditëlindjes së vogëlushes kishin pasur probleme shëndetësore edhe familjarët e tjerë, por ata e kaluan helmimin pa qenë e nevojshme që të shkonin në spital. Ndërsa e mitura nuk kishte mundur t’ia dilte këtij helmimi të rëndë. Gjendja e saj vetëm sa ishte vështirësuar, derisa ditën tjetër, familjarët e çuan në gjendje kritike në spital të Vlorës. “Ndoshta vajza dhe mund të kishte shpëtuar nëse do të dërgohej në spital me urgjencë, por u dërgua mbas disa orësh me shpresë se do të përmirësohej, ashtu sikurse e motra, e ëma dhe babai i saj. E dërguan në spital, por dy ditë më pas gjeti vdekjen”, u shprehën ata. Sipas tyre, edhe mjekët kishin konfirmuar pas vdekjes së të miturës si shkak helmimin nga ushqimi.
VLORE/ QEMAL BIRAKU
© Panorama.al











