I dërguari special i Trump: Jemi shumë pranë marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Dec 7, 2025 | 15:27

I dërguari i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Keith Kellogg ka deklaruar marrëveshja e paqes për Ukrainën është shumë pranë finalizimit.

ZELENSKY KELLOGG

Sipas tij, procesi ka mbetur pezull vetëm për shkak të dy çështjeve të pazgjidhura: e ardhmja e rajonit të Donbasit dhe kontrolli i termocentralit bërthamor të Zaporizhias.

Gjatë fjalimiu të tij në Forumin Kombëtar të Mbrojtjes Reagan në Kaliforni, i dërguari amerikan Keith Kellogg u shpreh se bisedimet kanë hyrë në “10 metrat e fundit”, të cilat sipas tij janë gjithmonë më të vështirat. “Nëse i zgjidhim këto dy gjëra, pjesa tjetër do të rrjedhë natyrshëm. Po afrohemi vërtet,” tha ai

Dy pikat kyçe që po mbajnë pezull marrëveshjen lidhen me:
• Territorin, konkretisht të ardhmen e Donbasit, i cili përfshin rajonet Donetsk dhe Luhansk;
• Termocentralin bërthamor Zaporizhia, më i madhi në Evropë, që aktualisht ndodhet nën kontroll rus.

Sipas një drafti të rrjedhur të propozimit amerikan, centrali, aktualisht jashtë funksionit, mund të vihet sërish në punë nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, ndërsa energjia e prodhuar do të ndahej 50/50 mes Rusisë dhe Ukrainës.

Kellogg e cilësoi të “tmerrshme” shkallën e viktimave të luftës, duke thënë se Rusia dhe Ukraina së bashku kanë pësuar mbi 2 milionë të vdekur dhe të plagosur që prej fillimit të konfliktit – shifra që asnjëra palë nuk i ka konfirmuar zyrtarisht.

Aktualisht, Rusia kontrollon 19.2% të territorit të Ukrainës, përfshirë Krimenë, të gjithë Luhanskun, mbi 80% të Donetskut dhe pjesë të rajoneve Kherson, Zaporizhia, Kharkiv, Sumy, Mykolaiv dhe Dnipropetrovsk.

Drafti i propozimeve amerikane me 28 pika, i publikuar muajin e kaluar, shkaktoi shqetësim në Kiev dhe kryeqytetet evropiane, pasi u konsiderua si i favorshëm për kërkesat e Rusisë.

Kremlini ka deklaruar se tani propozimi përmban 27 pika të ndara në katër kategori, por përmbajtja e plotë nuk është bërë publike.
Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se ka zhvilluar një bisedë të “gjatë dhe substanciale” me të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump.

Nga ana tjetër, Kremlini ka deklaruara se pret që Kushner të luajë një rol kyç në përgatitjen e marrëveshjes së mundshme të paqes.

© Panorama.al

Te lidhura