I dërguari i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, do të udhëtojë në Moskë më vonë gjatë së enjtes për të diskutuar për përfundimin e luftës në Ukrainë, deklaroi ai para audiencës së Forumit Ekonomik Botëror, sipas agjencisë Reuters.
“Besoj se kemi bërë përparim të madh”, tha Witkoff, duke shtuar se negociatat kanë hyrë në fazën përfundimtare.
“Nëse të dyja palët duan ta zgjidhin, do ta zgjidhim”, theksoi ai, duke nënvizuar se krijimi i një zone të tregtisë së lirë në Ukrainë do të përbënte një “ndryshim katalitik” për ekonominë e vendit.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin konfirmoi të mërkurën se sot do të zhvillojë një takim me Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump. Të dy janë ngarkuar të negociojnë kushtet e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, e cila vazhdon prej gati katër vitesh.
Sipas agjencive ruse të lajmeve, Putin deklaroi gjatë një mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë se është i gatshëm të diskutojë me të dërguarit amerikanë mundësinë e përdorimit të aseteve ruse të bllokuara për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga lufta.
“Kjo mundësi është duke u diskutuar me përfaqësues të qeverisë së SHBA-së”, citohet të ketë thënë ai nga mediat ruse.
Po ashtu, Putin bëri të ditur se do të diskutojë përdorimin e një pjese të këtyre fondeve edhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, me të cilin pritet të takohet po sot.
Në të njëjtën kohë, presidenti rus tha se i ka dhënë udhëzim Ministrisë së Jashtme të shqyrtojë ftesën e presidentit Trump për t’u bashkuar me “këshillin e paqes” që ai po planifikon të krijojë, duke shtuar se përgjigjja do të jepet në kohën e duhur.
Sipas Putinit, kjo nismë përbën kryesisht pjesë të përpjekjeve të Uashingtonit për të gjetur një zgjidhje për situatën në Lindjen e Mesme.
Edhe para se të merret një vendim për pjesëmarrjen në këtë këshill, Putin deklaroi se Moska është e gatshme të kontribuojë me 1 miliard dollarë – shuma që, sipas tij, kërkohet nga Trump për pjesëmarrje afatgjatë në këtë nismë.
© Panorama.al












