Familjarë, miq, kolegë dhe figura të njohura publike kryen sot homazhet në nderim të gazetarit të njohur Enrik Mehmeti, i cili u nda nga jeta në mënyrë tragjike pas një aksidenti.
Në ceremoninë e lamtumirës, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu, shprehu ngushëllimet e tij për familjen e gazetarit dhe kolegët e tij.
Në fjalën e tij për News24, Shehu deklaroi se Enriku ishte jo vetëm një gazetar i përkushtuar, por edhe një simbol i punës, sakrificës dhe profesionalizmit.
“Dua të shpreh respektin e madh për ju që, pavarësisht dhimbjes së madhe për kolegun, gjetët forcë dhe po vazhdoni të kryeni me devotshmëri dhe seriozitet punën tuaj. Humbja e Enrikut ishte në radhë të parë një dhimbje dhe një humbje jashtëzakonisht e thellë për familjen e tij, por ishte edhe një humbje e dyfishtë për Vlorën”, tha kreu i KLSH-së.
Sipas tij, Enrik Mehmeti la pas kujtimin e një njeriu të përkushtuar dhe të respektuar, që e kishte gazetarinë si pjesë të pandarë të jetës së tij. Po ashtu, ai kujtoi bashkëpunimin me gazetarin pas marrjes së detyrës si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
“Kam pasur fatin që Enrikun ta kem bashkudhëtar të punës sime dhe dua të shpreh dhimbjen time të dyfishtë, atë njerëzore, por edhe humbjen e një njeriu që kishte një nivel të lartë profesional në të gjitha drejtimet”, tha ai.
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu: Në radhë të parë dua të shpreh respektin e madh për ju që pavarësisht dhimbjes së madhe për kolegun, ju gjetët forcë dhe po vazhdoni të kryeni me devotshmëri, me seriozitet punën tuaj. Humbja e Enrikut ishte në radhë të parë një dhimbje dhe një humbje jashtëzakonisht e thellë për familjen e tij, por dua të them që ishte një humbje e dyfishtë për Vlorën.
Në radhë të parë ishte humbja e një njeriu i cili ishte simboli i punës, simboli i sakrificave, simboli i përkushtimit gjatë gjithë këtyre viteve të pakta jete, por dhe simboli i punës të veçantë të një gazetari, mbase nuk gaboj të them, një gazetari të lindur, një njeriu të respektuar.
Që mbas marrjes së detyrës si kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, unë kam patur fatin që Enrikun ta kem bashkudhëtar të punës time dhe mendoj që të më lejoni që të shpreh dhimbjen time të dyfishtë, në radhë të parë atë që thashë, dhimbjen njerëzore, por dhe humbjen e një njeriu që kishte një nivel të lartë profesional në të gjitha drejtimet. Mund të them që humbëm të gjithë një njeri i cili kishte në thelb përkushtimin më të madh, atë që duhet të ketë gjithsecili nga ne, përkushtimin për t’u bërë krah njëri-tjetrit për të qenë të bashkuar.
Ai gjatë gjithë këtyre viteve u mundua të japë mesazhin e madh, atë çka gjithsecili nga ne duhet ta vlerësojë dhe duhet ta zbatojë. Duhet të përkrahim njëri-tjetrin. Jeta është shumë e shkurtër për të qenë të ndarë. Ne jemi shumë pak për të qenë të përçarë. Në qoftë se do të bashkohemi, do të jemi vlerë për njëri-tjetrin, do të jemi vlerë për vendin tonë dhe besoj se kështu do të ecim përpara. Ju falenderoj shumë, respektet më të veçanta për ju
© Panorama.al












