Kënga “When I’m Home”, e cila shoqëron titrat e fundit të filmit “The Odyssey” të Christopher Nolan, është publikuar në platformat dixhitale të muzikës.
Kënga është një bashkëpunim mes reperit Travis Scott, artistit James Blake dhe kompozitorit fitues të çmimit Oscar, Ludwig Göransson, i cili ka krijuar edhe kolonën zanore të filmit.
Sipas krijuesve, muzika e filmit ndërthur elementë eksperimentalë me tinguj që lidhen me rrëfimin mitik të historisë së Odiseut.
Travis Scott nuk është i përfshirë vetëm në muzikën e filmit, por shfaqet edhe si aktor. Reperi interpreton rolin e një bardi në skenat hapëse të filmit dhe rikthehet në të njëjtin rol gjatë zhvillimit të historisë.
Kompozitori Ludwig Göransson ka treguar se Christopher Nolan i kërkoi të shmangte përdorimin e një orkestre tradicionale, pasi një element i tillë nuk i përkiste periudhës historike të Homerit. Për këtë arsye, ai përdori instrumente të lashta greke, tinguj prej bronzi dhe sipërfaqe metalike për të krijuar atmosferën muzikore të filmit.
Göransson është fitues i tre çmimeve Oscar për muzikën origjinale në filmat “Black Panther”, “Oppenheimer” dhe “Sinners”.
“The Odyssey” sjell në ekran udhëtimin dhjetëvjeçar të Odiseut për t’u kthyer në Itakë pas Luftës së Trojës. Në film interpretojnë Matt Damon në rolin e Odiseut, Anne Hathaway si Penelopa dhe Tom Holland si Telemaku.
Filmi është vepra e 13-të me metrazh të gjatë e Christopher Nolan dhe projekti i parë që është xhiruar tërësisht me teknologjinë IMAX.












