
Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti dje në gjykatë pretencën për tetë persona të akuzuar se kanë qenë anëtarë të bandës “Hijet e natës”, e cila ka kryer nëntë grabitje në Tiranë dhe Durrës gjatë viteve të fundit.Rreth 64 vjet burg në total u kërkuan dje nga prokuroria si dënim për personat e akuzuar si autorë të grabitjes së zyrave të bizneseve të ndryshme, por edhe banesave private apo zyrave të ambasadave. Organi i akuzës tha se tetë të akuzuarit kishin vepruar si një grup i organizuar personash në kryerjen e krimeve të vjedhjes së pasurisë në shuma të majme. Në mënyrë telegrafike, prokuroria paraqiti dje në gjykatë krimet për të cilat akuzohen tetë anëtarët e bandës, duke bërë të ditur se grabitja e parë është kryer më 22 shkurt 2009, në kompaninë e lojërave të fatit “Admiral”, përballë Gjykatës në Tiranë. Sipas akuzës, në këtë krim kanë marrë pjesë të akuzuarit Elton Lika, Sajmir Kuçi, Sulejman Bakalli dhe Admir Burri. Ata kanë vjedhur një kasafortë me përmasa 30×40, në të cilën ndodhej një shumë prej 600 mijë lekësh. Rreth një muaj më pas, më 30 mars 2009, të akuzuarit Sulejman Bakalli, Elton Lika, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri kanë vjedhur 33 600 euro, 2920 USD dhe 39 000 lekë, pasi kanë thyer derën e shoqërisë “ATHS”, në rrugën “Dedë Gjo Luli”. Grabitja tjetër është kryer më 28 prill 2009, ku sipas prokurorisë, shtetasit Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Admir Burri kryen vjedhjen e banesës së biznesmenit I. Ç., në rrugën “Hamit Shijaku”. Autorët e ngjarjes kanë prerë me oksigjen derën e shtëpisë dhe pasi kanë hyrë aty, kanë arritur të marrin në kasafortë shumat: 340 000 euro, 13 400 000 lekë dhe 5000 paund. Për disa muaj, me sa duket, anëtarët e bandës kanë “pushuar”, për të vazhduar më pas më 22 tetor 2009 grabitjen e radhës, në të cilën kanë marrë pjesë: Elton Lika, Sulejman Bakalli, Sajmir Kuçi dhe Dritan Duka. Ata akuzohen se në këtë datë kanë hyrë në banesën-bodrum të personit me iniciale D. P., por, pasi nuk kanë arritur të nxjerrin kasafortën, janë tërhequr. Një kasafortë me një sasi prej 1 000 000 lekësh është grabitur më pas më 3 nëntor 2009 nga të akuzuarit Taulant Mataj dhe Euklid Habili, në rrugën “Sulejman Delvina”, pranë Postës Nr. 8, në katin e dytë, Tiranë. Ndërkohë, sipas prokurorisë, shtetasit Taulant Mataj dhe Euklid Habili kanë tentuar të vjedhin zyrat e “Pasha Travel”, ku kanë shpërthyer me forcë derën dhe pasi kanë hyrë në banesë, nuk kanë gjetur shuma monetare. Më 6 dhjetor 2009, anëtarët e grupit kriminal akuzohen se kanë tentuar të grabisin kompaninë “Skutari Konstruksion”, ku pasi kanë prerë gardhin e telave dhe kanë kaluar kangjellat, kanë hyrë në ambientet e brendshme dhe kanë tentuar të hapin kasafortën pa ia arritur qëllimit. Për këtë shkak ata janë larguar nga vendi i ngjarjes duke qenë se kasaforta ishte vendosur në mur. Po në dhjetor 2009, më datën 6, të akuzuarit Taulant Mataj, Euklid Habili, sipas prokurorisë, kanë vjedhur një sasi parash, tre laptopë dhe dy aparate telefonike, në qendrën tregtare “OLIMPIA”. Grabitja tjetër, sipas prokurorisë, ka ndodhur më 12 dhjetor 2009, kur në zyrat e një kompanie turistike te Stacioni i Trenit, të akuzuarit Elton Lika, Taulant Mataj dhe Drinald Mataj kanë hyrë në zyrat e kompanisë nga dritarja dhe më pas kanë nxjerrë prej andej një kasafortë që e kanë transportuar më pas me një automjet nga vendi i ngjarjes. Kasaforta është gjetur më pas në makinën e autorëve pas ndjekjes nga policia dhe verifikimet kanë gjetur se brenda saj ndodheshin 4 mijë euro.
Veprimtaria kriminale
Sipas prokurorisë, tetë personat e akuzuar si anëtarë të bandës “Hijet e natës” kanë rekrutuar persona nga rrethi i të njohurve të tyre, ose të afërm të personave që do të vidheshin dhe prisnin prej tyre të përfitonin informacion lidhur me sasinë e lekëve që ndodheshin në shoqëri, shtëpi si dhe në kasaforta. “Grupi kriminal kryente edhe këqyrjen e planimetrisë së objektit, mënyrën se si ruhej, nëse kishte persona në shtëpi dhe kur ishte koha që nuk ishin në shtëpi. Karakteristikë e veprimeve të grupit ishte se pasi merrnin informacion të saktë për objektet që do të vidhnin, për vendndodhjen e kasafortave dhe vlerave monetare, organizonin punën për të kryer veprimin. Studionin me hollësi vendndodhjen e objektit, mënyrën se si ruhet, me kamera, për personat që e ruanin apo punonin”, tha dje prokurori i çështjes në gjykatë. Sipas tij, banda ka qenë e strukturuar pasi tre persona kanë qenë drejtues strategjikë të saj dhe më pas vinin të tjerët.
Grupi “Hijet e Nates”
Masat e dënimit:
Elton Lika, 13 vjet burg
Sajmir Kuçi, 12 vjet burg
Sulejman Bakalli, 12 vjet burg
Admir Burri, 10 vjet burg
Dritan Duka, 8 vjet e 6 muaj burg
Taulant Mataj, 4 vjet burg
Euklid Habili, 3 vjet e 6 muaj burgim
Drinald Mataj, 1 vit e 6 muaj burgim
GRABITJET
22 shkurt 2009,
grabisin kompaninë e lojërave të fatit “Admiral”
30 mars 2009,
grabisin shoqërisë “ATHS”
23 tetor 2009,
Grabisin zyrat e Ambasadës Daneze te ish-Blloku në Tiranë
3 nëntor 2009,
tentojnë të grabisin banesën në rrugën “Sulejman Delvina”
6 dhjetor 2009,
tentojnë të grabisin kompaninë “Skutari Konstruksion”
6 dhjetor 2009,
vjedhje në qendrën tregtare “OLIMPIA”
12 dhjetor 2009,
grabisin një kasafortë kompanie turistike
Si u grabit Ambasada Daneze te ish-Blloku në Tiranë
TIRANE – Një ndër grabitjet më të bujshme të bandës “Hijet e natës” është hyrja e paautorizuar në Ambasadën e Danimarkës, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur më 23 tetor 2009 dhe sipas prokurorisë, autorë kanë qenë shtetasit Elton Lika, Sulejman Bakalli, Saijmir Kuçi, Taulant Mataj dhe Dritan Duka. Gjatë deklaratës së bërë dje në gjykatë, organi i akuzës tha se Ambasada është grabitur rreth orës 3 të mëngjesit, më 23 tetor 2009. Sipas prokurorisë, autorët e ngjarjes kanë hyrë në zyrat e Ambasadës nëpërmjet tarracës së një pallati ngjitur me të. Grabitësit kanë vendosur një palë shkallë mes pallatit dhe tarracës së Ambasadës dhe më pas kanë hyrë në selinë diplomatike ku kanë arritur të vjedhin 1000 euro, dy kompjuterë laptopë dhe sende të tjera. Policia deklaroi në atë kohë se vjedhja e pajisjeve kompjuterike nga Ambasada ishte ndjekur me shqetësim të madh, pasi në kompjuterët në fjalë kishte të dhëna që kishin të bënin me sektorin e vizave. Pasi kanë vjedhur laptopët në Ambasadë, sipas prokurorisë, autorët e ngjarjes janë kujdesur që të gjenin blerës për sendet që ata kishin grabitur.
Trazhgim Sokolaj
© Panorama.al











