Një punonjës ndërkombëtar i Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, është pushuar, ndërsa disa të tjerë janë transferuar përkohësisht në detyra të tjera brenda misionit, për shkaqe sigurie.Lëvizja ndodh pas paralajmërimit të ish-ministrit të Transporteve në qeverinë “Thaçi 1”, Fatmir Limaj, i cili vetëm një ditë më parë tha se kjo lëvizje do të bëhej për shkak të kërkesës së avokatit të tij. “Mund të them se ka ardhur një institut europian ose një organizatë joqeveritare, institut i pavarur, i cili po kryen hetime për EULEX-in dhe ka ardhur për rreth 4-5 ditë. Ata kanë kërkuar nga unë të shprehja mendimet e mia rreth tij, sepse ata janë duke e hetuar punën e EULEX-it, se sigurisht edhe ata e kanë parë se unë jam simboli, që EULEX-i ka bërë shkelje eklatante në të dyja rastet”, tha Limaj një ditë më parë. Sipas një komunikate të EULEX-it, të gjithë këta persona kanë qenë pjesë e Njësitit për Mbrojtje të Afërt, të ngarkuar për sigurinë fizike të Shefit të Misionit. Pezullimi dhe transferimi janë marrë si masa mbrojtëse, pasi aftësia e njësitit për të kryer detyrat e tij është kompromentuar. Një hetim i veçantë i brendshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të postit zyrtar dhe shkelje, i cili është pothuajse në përfundim, është i pandikueshëm dhe po vazhdon, njoftoi EULEX-i. Rezultatet e këtij hetimi priten para fundit të prillit. Një zyrtar i lartë i EULEX-it u përmend nga mediat kosovare si personi që ka abuzuar me pozitën e tij zyrtare në Kosovë. Denoncimin për abuzimin e detyrës nga ky zyrtar i EULEX-it e ka bërë personeli lokal i Misionit. Sipas burimeve brenda EULEX – it, i denoncuari më pas ka kërcënuar punëtorët vendor në EULEX për të heshtur për rastin. Thuhet se bëhet fjalë për një punëtor francez të EULEX-it, i cili më parë kishte shërbyer në forcat e KFOR-it, ndërsa që prej dy vjetësh punon në EULEX. Sipas mediave në Kosovë, ai kishte fyer punëtorët shqiptarë, ndjenjat kombëtare, simbolet kombëtare e sidomos flamurin, për të cilin kishte thënë se “është një leckë e pavlerë dhe vlen vetëm për të pastruar prapanicën”.
Rexhepi: Nuk jam optimist
“Është mirë që Beogradi dhe Prishtina më në fund kanë vendosur të merren me çështje për të mirën e qytetarëve”, ka deklaruar për agjencinë serbe “FoNet” ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi. Por ai ka shtuar se megjithatë, “nuk është shumë optimist”. “Nëse do të kenë sukses këto çështje teknike që të jenë në dobi të qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë, kjo është mirë, por nuk jam një optimist i madh”, theksoi ai.
Pacolli në AKR, “i pazëvendësueshëm”
Behgjet Pacolli nuk mund të zëvendësohet nga askush në Aleancën Kosova e Re. Sipas gazetës “Koha Ditore”, kjo parti nuk e ka mbajtur të shtunën kuvendin e jashtëzakonshëm. Ka mbetur vetëm rikthimi në detyrë si president i AKR-së të Pacollit. Lajmin e pohoi ushtruesi i detyrës së presidentit të AKR-së, Ibrahim Makolli. “Këshilli drejtues i ka kompetencat që ta rikthejë Pacollin në krye të AKR-së dhe këtë ka për ta bërë gjatë ditëve të ardhshme”, tha ai.
© Panorama.al











