Hetimi i Kuvendit, Braçe, letër OSBE-së

Apr 12, 2011 | 13:52

TIRANE- Nje dite pas deshtimit te mbledhjes se radhes se Komisionit Hetimor per hetimin e punes se Kuvendit, kryetari i tij, njeheresh nenkyetar i PS-se, Erion Brace i eshte drejtuar me nje leter ambasadorit te OSBE-se ne Tirane. Ne letren e derguar Braçe ben publik shqetesimin per bllokimin sipas tij te qellimshem te punes se ketij komisioni nga ana e maxhorances,. Sipas Braces, deputetet e shumices kane njoftuar se nuk paraqiten per shkak te angazhimeve ne fushate dhe kjo do te coje ne deshtimin e punes se komisionit.

Letra e plote
I nderuar zoti Ambasador ,
Më lejoni t’iu falenderoj para së gjithash për përpjekjet tuaja për demokratizimin e jetës parlamentare në Shqipëri.
Me datë 17 Mars 2011, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë me Vendimin nr. 90, vendosi “Ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar per  hetimin e  drejtimit dhe veprimtarisë së organeve drejtuese dhe shërbimeve të Kuvendit,  për periudhën shtator  2005 – dhjetor 2010”, bazuar mbi kërkesën e deputetëve të opozitës.
Komisioni hetimor ka per objekt:
a.    Hetimin e veprimtarisë  së organeve drejtuese  të sipërcituara për sa i përket detyrimeve që lindin nga zbatimi i Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë;

b.    Hetimin e veprimtarisë  së administratës së shërbimeve të Kuvendit sipas  kompetencave të percaktuara në Rregulloren e Kuvendit, ligjin për buxhetin, legjislacionin që rregullon statusin e deputetit, dhe  legjislacionin për ekzekutimin e buxhetit;

c.    Hetimin e Byrosë  dhe admistratës së Kuvendit në lidhje me përcaktimin e struktutrës dhe organikës së administratës ndihmëse të  Kuvendit dhe zbatimit të legjislacionit për shërbimin civil apo atij të punës në rekrutimin, transferimin apo ndërprerjen e mardhënieve të punës së personelit të administratës;

d.    Hetimin e procedurave të vlerësimit dhe tjetërsimit të mjeteve të transportit në pronësi të Kuvendit, dhe pasojat financiare që  ato kanë sjellë në buxhetin e shtetit;

e.    Hetimin e funksionimit  të stafit ndihmës të Kuvendit, puna që ata kryejnë  dhe shpërndarja e punës mes komisione, zbatimi i kërkesa ligjore për respektimin e procedurave në shqyrtimin e projekt-ligjeve si dhe ne emerimet e Kuvendit ne institucionet dhe entet ne varesi te tij.

f.    Hetimin e  integritetit dhe eficencës së sistemit të votimit elektronik në Kuvend;

g.    Propozimin e ndryshimeve të nevojshme legjislative dhe organizative  me qellim korrigjimin e mangësive të  konstatura duke synuar  mirëfunksionim e Kuvendit dhe shërbimeve të tij, përmes një reforme të plotë parlamentare.

Ky komision përbëhet nga 11 anëtarë, 6 prej të cilëve – pra shumica – i përket mazhorancës parlamentare.
Për fat të keq, puna e këtij komisioni po pengohet në mënyrë të qëllimtë nga Kryetarja e Kuvendit dhe administrata në shërbim të saj. Për fat të keq, këtë javë pengesa administrative është zëvendësuar me një pengesë politike.
Anëtarët e mazhorancës parlamentare në komision – pra shumica – ka njoftuar sekretarinë e komisionit se “nuk do të marrë pjesë deri në 8 Maj 2011 në punimet e komisionit”, duke bllokuar kështu funksionimin e këtij komisioni për shkak të mungesës së kuorumit të domosdoshëm të përcaktuar në ligj.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një afat katër mujor për ushtrimin e veprimtarisë së këtij komisioni hetimor. Ndërkohë që mazhoranca parlamentare ka zgjedhur të djegë afatet e hetimit duke mos marrë pjesë e bllokuar punën e komisionit.  Për më tepër, e gjitha kjo ndodh kur Kuvendi i Shqipërisë nuk ka marrë asnjë vendim për ndërprerjen e punës së tij duke miratuar madje edhe një kalendar të punimeve.
Karakteri i këtij komisioni nuk është personal, pra i drejtuar përkundrejt ndonje individi me synim penalizimin e tij. Ne e ngritëm këtë komision për të njohur deri në detaje dhe reflektuar një seri konstatimesh e vërejtjesh të Opinionit të Komisionit Europian në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, rreth funksionimit të Kuvendit.
Të bindur se, një funksionim demokratik i jetës parlamentare, bazuar në rregulla të gjithpranuara do t’i shërbente përmirësimit cilësor të jetës politike në vend, mbetemi me shpresë se bashkëpunimi ynë do të vijojë në përmbushje të angazhimeve që burojnë për Shqipërinë në procesin e integrimit Europian.

Erion BRAÇE

Kryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar

© Panorama.al

Te lidhura