Hetimet për krime lufte, 30 ditë paraburgim Kuçit

Apr 5, 2011 | 14:58

PRISHTINE- Kryetarit të Suharekës, Blerim Kuçi, i cili është marrë sot në pyetje nga Gjykata e Qarkut, i janë caktuar 30 ditë paraburgim.  Burime nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se Kuçi nuk ka dashur të dëshmojë në rastin Fatmir Limaj, ndaj të cilit EULEX ka ngritur dyshime për krime lufte.

Mediat raportojnë se Kuçi përmendej si një nga viktimat, që ishte mbajtur në Kleçkë.

Ai, pohohet se ka kundërshtuar të dëshmojë rreth këtij rasti. Për pasojë, është arrestuar nga policia e EULEX-it.

EULEX: Kuçi refuzoi të dëshmojë

EULEX-i ka konfirmuar se kryetari i Suharekës, Blerim Kuçi, është intervistuar sot në mëngjes nga zyrtarët e EULEX-it. Por ndryshe nga ajo që kanë deklaruar përfaqësuesit e Kuçit, EULEX-i thotë se kryetari i Suharekës nuk është arrestuar.

”Z. Kuçi do të paraqitet para një gjyqtari me kërkesë të prokurorit të EULEX-it, i cili thotë se zoti Kuçi ka refuzuar në mënyrë të përsëritur për të dhënë dëshmi gjatë një hetimi”, ka njoftuar Zyra për Informim e EULEX-it.

”Dënimi me gjobë ose me paraburgim për dëshmitarët që nuk bashkëpunojnë është një masë e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës. Kjo është ajo që mund ta themi për momentin”, theksohet në komunikatën e EULEX-it, të lëshuar rreth mesditës.

Kuçi pyetet rreth rastit Limaj?

Prokurorët e EULEX-it janë të interesuar ta pyesin kryetarin e Suharekës, Blerim Kuçi, lidhur me dyshime për krime lufte që kanë ndodhur “në periudhë përafërsisht të njëjtë” me ato që dyshohet deputeti Fatmir Limaj dhe nëntë ish-luftëtarë të ish-Brigadës Kumanova, të cilët u arrestuan muajin e kaluar.

Burim Ramadani, sekretar i AAK-së, dhe i afërm i Kuçit, konfirmoi për gazetarët se kryetari i Suharekës është arrestuar sot nga EULEX-i. Ai tha se Kuçi ka marrë një fletarrest nga ky mision, për shkak se nuk nuk ka pranuar të dëshmojë për krime të luftës.

I pyetur nga Express, nëse dyshimet kanë të bëjnë me rastin Limaj, Ramadani sqaroi se ka biseduar paraprakisht me Kuçin, dhe se dyshimet lidhen “jo saktësisht, por periudhë përafërsisht të njëjtë”.

Sipas Ramadanit, Kuçi mendon se arrestimi i tij është më shumë çështje politike dhe hodhi poshtë spekulimet e disa medieve se arrestimi ka të bëjë me çështje korrupsioni.

Kuçi nuk ka pranuar të ketë avokat. Arrestimi i tij është bërë në orët e mëngjesit, ndërsa ai është marrë në pyetje për gati dy orë.

Rreth mesditës, Kuçi është paraqitur para një gjyqtari ndërkombëtar të seancës paraprake. Në këtë seancë pritet të merret vendimi nëse atij do t’i shqiptohet paraburgim prej 30 ditësh, arrest shtëpiak apo që të paraqitet rregullisht në polici.

EULEX-i arreston Blerim Kuçin

Policia e EULEX-it ka arrestuar sot Blerim Kuçin, kryetar i Komunës së Suharekës.

Ai është marrë në pyetje nga prokurorë të EULEX-it, për shkak se ka refuzuar të japë dëshmi në lidhje me dyshime për krime lufte, ka thënë për Express një burim i afërt me Kuçin.

Rreth orës 11:50, Kuçi është sjellë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, i shoqëruar nga policë në rroba civile. Ai nuk i kishte duart e lidhura, raporton gazetari i Express, nga vendi i ngjarjes.

Ndërkohë, Koha.net raporton se Kuçi dyshohet për korrupsion, që lidhet me vreshtarinë në komunën që drejton.

Kuçi mban postin e Sekretarit Organizitiv në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

© Panorama.al

Te lidhura