Këshilli i Lartë i Drejtësisë pritet të kalojë në “filtër” hyrje-daljet jashtë shtetit të rreth 150 gjyqtarëve.Kjo çështje do të diskutohet në mbledhjen më të parë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Lajmi mbi verifikimet e veprimeve të gjyqtarëve, si dhe shifra e tyre u bë e ditur dje nga numri dy i KLD-së, Kreshnik Spahiu, gjatë punimeve të një tryeze të Institutit të Studimeve Parlamentare, e financuar nga Ambasada e SHBA. Sipas Spahiut, bëhet fjalë për hyrje-dalje në kundërshtim me rregullat të togave të zeza jashtë territorit të vendit. “Filtrimi” do të ketë të bëjë me verifikimet e shpenzimeve financiare të gjyqtarëve dhe më tej në mundësinë për të filluar procedime disiplinore ndaj tyre. Për të verifikuar shpenzimet, KLD-ja do të bashkëpunojë me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. “Diskutimin e një informacioni për hyrje-dalje jashtë shtetit, në kundërshtim me rregullat, të rreth 150 gjyqtarëve. Ky raport do të trajtohet në dy plane; së pari nëpërmjet bashkëpunimit me ILDPK, për të verifikuar shpenzimet që ata kryejnë dhe, së dyti, nëpërmjet përfshirjes së Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Inspektoratit të Ministrisë së Drejtësisë, për të trajtuar mundësinë për të iniciuar një procedim disiplinor për ato raste që cenojnë etikën dhe disiplinën në detyrë”, u shpreh Spahiu.
“ARRESTI SHTËPIAK”
Nënkryetari i KLD-së, Spahiu, nënvizoi edhe njëherë dje verifikimin e zbatimit arresteve shtëpiake si masa sigurimi. Sipas Spahiut, masa e sigurimit “arrest shtëpiak” ka humbur funksionin dhe zbatueshmërinë procedurale, duke u trajtuar si dhënie lirie. “Verifikimin e zbatimit të arresteve shtëpiake si masa sigurimi, pasi ato kanë humbur funksionin dhe zbatueshmërinë procedurale, pasi nuk trajtohen më si kufizim lirie, por në mënyrë të paprecedentë, si dhënie lirie, duke deformuar qëllimin e ligjit”, u shpreh Spahiu. Sipas tij, kryesisht masat e sigurimit personal të këtij lloji nuk mbikëqyren dhe personat e arrestuar shihen të shëtisin të lirë e të qetë rrugëve të qyteteve. Në vijim të fjalës së tij, numri dy i KLD-së hodhi dyshime se moszbatimi korrekt i kësaj mase sigurie po e kthente atë në burim përfitimi për të pandehurit. “Kjo ka deformuar kuptimin e këtij instituti dhe e ka kthyer atë në një burim paligjshmërie dhe përfitimi, thjesht dhe vetëm në një mënyrë për t’u llogaritur periudha kohore në vuajtjen e dënimit”, u shpreh Spahiu. Rezervat e tij në lidhje me zbatueshmërinë e masës së “arrestit shtëpiak”, nënkryetari Spahiu i ka shprehur edhe më 21 mars, në Shkodër. Në një takim në Gjykatën e Shkodrës ai kërkoi ndryshime në ligj. Deklarata e atëhershme e Spahiut erdhi vetëm pak ditë pasi bosi turk i drogës, Abdulselam Turgut, u arratis teksa ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhënë nga Apeli i Tiranës.
“Kërkojmë standarde europiane, gjykatat i kemi me kushte afrikane”
TIRANE – Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, kërkoi edhe njëherë dje përmirësimin e infrastrukturës së gjykatave në vend. Duke përmendur kritikat mbi profesionalizmin e gjyqtarëve apo zbatueshmërinë e standardeve të etikës prej tyre, Spahiu tha se togave të zeza duhet t’u garantohen standardet e nevojshme në logjistikë dhe infrastrukturë. “Shembull i qartë dhe konkret është Gjykata civile e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila, megjithëse zgjidh pjesën me të rëndësishme të çështjeve, gjykon në kushte aspak procedurale në një godinë zgjatim i një ndërmarrjeje shtetërore, në një sfidë të vërtetë për kuptimin e fjalës “gjyq”. Thjesht sistemi gjyqësor nuk mund të funksionojë me standarde europiane dhe me infrastrukturë afrikane. Tirana është i vetmi kryeqytet i Europës që nuk ka një godinë gjykate, e jo më një ‘Pallat drejtësie’ si element bazë për të garantuar funksionimin normal dhe të barabartë të tre pushteteve. Kjo situatë nuk është vetëm në Tiranë, por edhe në Durrës, Shkodër, Elbasan dhe pothuajse në disa nga qytetet kryesore, ku dhjetëra gjyqtarë detyrohen të gjykojnë në zyra me sipërfaqe 15 metra katrorë”, u shpreh Spahiu. Në vijim të fjalës së tij, Spahiu u shpreh se “një gjykim duhet të bëhet në salla gjyqi dhe një vendim gjyqësor duhet të shkruhet në letër, dhe këto nevoja nuk duhet t’i garantohen gjyqtarit, por qytetarëve, të cilët i janë drejtuar gjykatës”.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











