Heshtja ndaj minatorëve është një akt shtetëror i harresës!

Nov 1, 2025 | 9:40

NGA PROF. EDMOND PANARITI edmond panariti

Kur minatorët protestojnë, ata nuk kërkojnë privilegje, kërkojnë të mos harrohen. Ata nuk kërkojnë lëmoshë, kërkojnë status. Dhe kur shteti hesht, ai nuk kursen fjalët, ai mohon përgjegjësinë. Indiferenca ndaj protestës së minatorëve është më shumë se mungesë reagimi: është një akt i institucionalizuar i harresës sociale, që dëshmon për një sistem që nuk e njeh barrën e lodhjes, rrezikut dhe sakrificës. Minatori nuk është thjesht një profesion, është një përballje e përditshme me errësirën, me gazin, me shembjen, me izolimin. Heshtja ndaj protestës së tyre tregon se institucionet nuk e njohin më realitetin e punës që nuk ndodh në zyrë, por nën tokë.

Nëse shteti nuk ofron pension të parakohshëm, status të mbrojtur dhe trajtim shëndetësor për minatorin, atëherë ai ka dështuar të kompensojë disproporcionin e lodhjes dhe rrezikut. Kjo është një shkelje e parimit të barazisë në barrën sociale.

Kur protestat e qeta dhe të drejta nuk marrin përgjigje, besimi në shtet zëvendësohet me zhgënjim, pastaj me zemërim. Minatori nuk ka luksin të presë pafundësisht. Ai ka nevojë për përgjigje, jo për heshtje. Pa mbrojtje, minatori largohet. Pa minatorë, ekonomia ngadalësohet. Indiferenca nuk është vetëm çështje morale, është rrezik ekonomik dhe strategjik. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen duke harruar ata që mbajnë themelet. Çfarë dëshmojnë treguesit epidemiologjikë dhe ekonomikë të kësaj kategorie?

– Sipas ISHP, minatorët kanë prevalencë 3 herë më të lartë të sëmundjeve respiratore dhe muskuloskeletore krahasuar me profesionet e zakonshme.

– Incidenca e aksidenteve fatale në miniera është 5-fish më e lartë se mesatarja kombëtare, sipas Inspektoratit të Punës.

– Pensioni mesatar i një minatori është më i ulët se kostoja mujore e trajtimit për sëmundjet profesionale, duke e bërë mbijetesën pas daljes në pension një sfidë të përditshme.

Në Francë, minatorët dalin në pension 5– 10 vite më herët dhe përfitojnë trajtim të dedikuar. Në Poloni, ata kanë skema të veçanta sigurimi dhe rehabilitimi. Në Shqipëri, minatori proteston për të drejtën për të jetuar me dinjitet dhe shteti hesht. Por, heshtja ndaj minatorëve është një dritare e hapur drejt krizës së përfaqësimit dhe mungesës së ndjeshmërisë institucionale. Nëse shteti nuk dëgjon ata që punojnë nën tokë, atëherë ai ka humbur kontaktin me tokën ku qëndron. Mbrojtja e minatorit nuk është çështje buxheti, është çështje karakteri.

Shqipëria nuk mund të ndërtojë një të ardhme europiane mbi harresën e atyre që mbajnë themelet e saj. Protesta e minatorëve është një thirrje për drejtësi, për kujtesë dhe për dinjitet. Dhe përgjigjja e shtetit ndaj saj është testi më i qartë i vlerave që ai përfaqëson.

/Gazeta Panorama

© Panorama.al

Te lidhura