PANORAMA PLUS/ Ndarja e bujshme e moderatores Neda Balluku nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, vëllai i zv.kryeministres Belinda Balluku vijon të jetë në qendër të vëmendjes publike, teksa dalin në dritë detaje të reja nga përplasja mes tyre, e cila ka përfunduar në dyert e drejtësisë.
Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, për shkak të dhunës së pretenduar nga bashkëshorti i saj.
Vetëm pak ditë më pas, ishte vetë Ogren Balluku, ai që kërkoi urdhër mbrojtjeje, duke pretenduar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here edhe fizike nga bashkëshortja.
Por çfarë e çoi çiftin deri në dyert e policisë? Të shumtë kanë qenë portalet se ndarja mes çiftit ka ardhur për shkak të tradhtisë. Ka qenë Ogreni, ai që ka tradhtuar Nedën, duke sjellë edhe fundin e martesës së tyre.
Megjithatë, në padinë e dovircit, ky nuk ishte shkaku i shkruar nga vetë palët. Ajo çfarë çifti tashmë ka pranuar është përfundimi njëherë e mirë e bashkimit të tyre. E pas divorcit, dyshja një përplasje të fortë ka pasur me njëri-tjetrin.
Përplasje kjo që i ka çuar të dy të kërkojnë urdhër mbrojtjeje. Në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Tiranës, Ogren Balluku pretendon se është ofenduar rëndë me fjalë si: “Ordiner, kafshë, kriminel dhe hajdut”, ndërsa shton se është kërcënuar edhe me shprehje të rënda si: “Do të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr”.
Ai pohon gjithashtu se ndihet i përndjekur dhe i survejuar, duke pretenduar se Neda Balluku ka hapur kamerat e supermarketeve për të ndjekur lëvizjet e tij dhe të fëmijëve, si edhe ka paraqitur prova në gjykatë që, sipas tij, dëshmojnë përgjimin e banesës së tij.
“Kam pasur shqetësime të vazhdueshme nga bashkëshortja ime, Neda Balluku dhe do të kërkoj të pajisem me urdhër të menjëhershëm mbrojtje për vete dhe djalin tim… Jam i dhunuar verbalisht me fjalët më të ulëta që mund t’i thuhen një njeriu si (ordiner, hajdut, kriminel, kafshë, etj.)… Më kërcënon verbalisht me fjalët do të të bëj të vrasësh veten, do prekësh fundin, mos gjetsh varr… Unë dhe dy djemtë e mi jemi të përgjuar në shtëpinë tonë… Ditën e premte më datë 16.01.2026 të dy djemtë janë përballur me dhunë psikologjike në ambientet e shkollës ‘Viktor Hygo”…’”, thuhet se ka dëshmuar ai.
Megjithatë, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e kërkesës së Ogren Ballukut, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj Neda Ballukut.
Nga ana tjetër, Neda Balluku pretendon se ish-bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme të takojë fëmijët, e nxjerr nga banesa dhe e ofendon në sy të tyre, duke i manipuluar kundër saj.
“Kam për të deklaruar se për datën 20.01.2026 unë me shtetasin Ogren jam takuar vetëm në sallën e gjyqit… Nuk e kam kërcënuar apo dhunuar fizikisht apo psikologjikisht këtë shtetas… Kam shkuar në shkollë për të takuar fëmijët sipas vendimit të gjykatës, por nuk jam lejuar… Ai ofendon, shan dhe denigron mua në sy të fëmijëve… Kam bërë disa kallëzime dhe kam marrë urdhër mbrojtjeje sepse nuk më lejonte të takoja vajzën sipas vendimit të gjykatës…”, ka thënë ajo,
Sipas saj, kërkesa e ish-bashkëshortit për urdhër mbrojtjeje është bërë si kundërpeshë ndaj vendimit të marrë më herët në favor të saj dhe si tentativë për të penguar zbatimin e vendimeve gjyqësore për takimin me fëmijët.
© Panorama.al
















