Kreu i SPAK, Klodian Braho deklaroi se fakti që Prokuroria mund të jetë e papëlqyeshme nga kahet politike tregon se institucioni është në rrugën e duhur. Këtë koment ai e bëri gjatë mbledhjes së Komisionit për Nismat Qytetare, në përgjigje të një pyetjeje nga deputeti Erald Kapri.
Deputeti i “Mundësia”, teksa përmendi deklaratat sulmuese të kryeministrit Edi Rama ndaj drejtësisë, i adresoi Brahos pyetjen se çfarë garancish jep se shefi i qeverisë nuk është mbi ligjin.
“Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK-u është i papëlqyeshëm nga të dy krahët politikë, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur.”, tha Kryeprokurori, duke përsëritur se askush nuk është mbi ligjin.
Erald Kapri: Pak kohë më parë morëm vesh që Dumani kërkoi mbrojtje shtesë, dhe ju sapo deklaruar që deklaratat e kryeministrit i shihni dhe me një shqetësim sepse bota e krimit mund të marrë guxim dhe të sulmojë prokurorët. Kryeministri ka thënë që keni dalë nga shinat, çorbë qensh, minjsh madje edhe republikë prokurorësh. Madje kryeministri pranon se është edhe pjesë e dosjeve, te dosja Balluku del një sipërmarrës që merr një tender dhe të nesërmen e pranon kryeministri se po e takova. Nuk kemi parë një veprim ndaj kryeministrit, çfarë garancish jepni ju që kryeministri nuk mund të jetë mbi ligjin. Sepse betejën me të tjerët e keni fituar, te kryeministri ka një stepje.
Klodian Braho: Deklaratat politike janë retorikë politike. Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK-u është i papëlqyeshëm nga të dy krahët politikë, se kjo tregon që institucioni është në rrugën e duhur. Nuk janë vendime që merren në bazë të pritshmërive, por janë vendime që merren për shkak të nevojave të hetimit. Është prokurori i zoti i çështjes. Unë i qëndroj asaj që thashë, për SPAK janë të gjithë të barabartë. Sfida është prova. Por askush nuk është imun ndaj hetimit, në rastet kur ka prova se mund të ketë kryer vepër penale.
© Panorama.al












