Ndërsa ka shënuar krizën më të rëndë ekonomike brenda BE-së, Greqia ka menduar të shpenzojë shumë para për armatimin e ushtrisë së saj. Zgjedhja e fushës për të shpenzuar nga zyrtarët grekë tingëllon e çuditshme, pasi Greqia është zotuar për zgjidhje diplomatike të të gjitha çështjeve të pazgjidhura të saj, siç është kufiri detar me Shqipërinë apo konflikti për Qipron me Turqinë. Sipas një raporti të Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm, i cili i referohet buxhetit ushtarak të të gjitha vendeve, Greqia është një nga pesë klientët më të mëdhenj në botë për blerjen e armatimeve ushtarake, edhe në periudhën 2005-2009, ku vendi kishte hyrë në krizë. Sipas raportit, shumat e shpenzuara për armatime nga Athina zyrtare për tre dekada, përbëjnë një të tretën e borxhit grek ose 100 miliardë euro. Këto shpenzime e kanë renditur atë në vendin e pestë në botë pas Kinës, Indisë, Koresë së Jugut dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Në raport thuhet se Greqia vazhdon të shpenzojë për armatime një përqindje më të lartë të GDP-së, madje më shumë se çdo vend anëtar i Bashkimit Europian. Kjo duket një histori në përsëritje dhe një lloj “tradite” e zyrtarëve grekë. Sipas Xhorxh Dertilis, drejtor në Universitetin e Shkencave Sociale “Ecole des Hautes Etudes” në Paris, shteti grek ka harxhuar 33 për qind të shpenzimeve të tij për ushtrinë që nga viti 1830 e deri më sot. Raporti i fundit thekson se shumat për armatime kanë pasur një tendencë gjithnjë e në rritje në 15 vitet e fundit, kur Greqia ka shtuar blerjet kryesisht nga Gjermania dhe Franca. Publikimi i raportit ka ndezur debate në Parlamentin Europian, ku shumë deputetë akuzojnë Gjermaninë dhe Francën se i kanë vënë kusht Athinës blerje të reja armatimesh shumëmiliardëshe me shkëmbim futjen e Greqisë në Mekanizmin e Ndihmës.











