Shtetet e Bashkuara e kanë konsideruar jashtë çdo standardi e parametri situatën në burgjet e Greqisë, të cilat, përveç se të mbingarkuara, janë edhe “të frikshme dhe jashtë çdo parametri”. Vlerësimi u bë në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit. Sipas DASH-it, në burgjet greke është e pranishme dhuna psikologjike dhe ajo fizike që ushtrohet nga gardianët tek të dënuarit. Ndërsa kapaciteti i burgjeve është deri në 9 mijë persona, shifra aktuale e të burgosurve i kalon 11 600 vetë. Pjesa më madhe e të burgosurve në Greqi janë fqinjë të saj, shqiptarët dhe turqit. Vlerësimi më i rëndë është bërë për burgjet e Koridhialosit dhe Trikallas, ku sipas vëzhguesve, të dënuarit flenë në tokë dhe nuk kanë asistenca mjekësore. Në raport theksohet se nëpër burgje, të dënuarit me probleme mendore vendosen në të njëjtën qeli me të dënuarit normalë, gjë që është tërësisht jashtë parametrave. Vlerësim mjaft negativ ka pasur edhe në qendrat e emigracionit ilegal, kiu sipas vëzhguesve të Departamentit Amerikan të Shtetit, këto qendra janë të mbipopulluara, por gratë e fëmijët vendosen në të njëjtat ambiente me meshkuj të rritur. Zyrtarët e Athinës janë duke negociuar me qeveritë e vendeve fqinje për depërtimin e të burgosurve në vendet e origjinës. Deri tanë në këtë drejtim nuk ka pasur ndonjë arritje të konsiderueshme.











