“Goditja me vezë dhe miell, mesazh simbolik për deputetët”- Dhuna te parlamenti, flet Shkëlzen Bushi: Rama ka rënë, e ka kuptuar dhe vetë! Protestën e duan 80% të shqiptarëve

Jul 1, 2026 | 16:58

Një ditë pas protestës së mbajtur para Parlamentit, Shkëlzen Bushi, i cili u shoqërua nga policia gjatë tubimit, ka folur për dinamikën e ngjarjeve, duke dhënë këndvështrimin e tij mbi atë që ndodhi dhe mbi vijimin e protestave.

shkelzen bushi

Në një intervistë për News24, Bushi deklaroi se protesta ka mbështetje të gjerë qytetare, ndërsa u shpreh kritik ndaj qeverisë.

“Protesta mbështetet nga 80% e shqiptarëve, pjesa tjetër janë patronazhistë”, tha ai.

Duke iu referuar përplasjeve që shoqëruan protestën, Bushi tha se, sipas tij, dhuna e ushtruar ndaj protestuesve e ka forcuar kauzën e tyre.

“Dhuna na shërbeu pa dashje. Pa u flijuar dikush, kjo protestë nuk do ta merrte kuptimin e brendshëm. Aty u flijuam gjashtë persona. Këta duan gjak. Nëse duan gjak, le të flijohet një ose dy jetë. Ne nuk kishim diskutuar asgjë paraprakisht”, u shpreh ai.

Sipas Bushit, protesta ishte konceptuar si një tubim paqësor, ku qytetarët synonin të shprehnin pakënaqësinë përmes akteve simbolike ndaj deputetëve.

“Po prisnim që deputetët të dilnin nga Parlamenti për t’i goditur me vezë dhe miell, si një mesazh simbolik për t’u treguar se nuk jemi dakord me atë që po bëjnë. Ndërkohë, gjatë gjithë kohës shtoheshin forcat policore dhe ngushtohej kordoni i sigurisë”, deklaroi ai.

Ai pretendoi se, në momentet kur situata u tensionua, u përpoq të shmangte përplasjen mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, por përfundoi i ndaluar.

“Shkova për t’i ndarë, që të mos kishte gjakderdhje. Në atë moment një polic më goditi, më pas më kapën për flokësh, më futën brenda kordonit dhe më rrahën në tokë”, tha Bushi.

Bushi shtoi se nuk përjashton mundësinë që gjatë protestës të kenë qenë të pranishëm persona të infiltruar për të provokuar incidente.

“Nuk e dimë kush ishte aty. Mund të ketë pasur edhe persona që janë futur mes protestuesve vetëm për të provokuar situatën”, u shpreh ai.

Ai bëri të ditur se pas shoqërimit qëndroi për rreth pesë orë në komisariat, ndërsa theksoi se kjo nuk do ta ndalojë të marrë pjesë në protestat e ardhshme.

Gjatë intervistës, Bushi tha se nuk e njeh më Ramën si kryeministër.

“Ai ka rënë dhe e di dhe vetë dhe nuk di nga të shkojë. Njerëzit duhet ta kuptojnë se ai ka rënë. Nuk kam shkuar në ditën e parë. Kam shkuar ditën e tretë apo të katërt si qytetar. Aty ka një frymë të pastër dhe iu bashkova.”

Në fund, ai paralajmëroi vijimin e protestave, duke u shprehur se ajo e 4 korrikut do jetë më e madhja.

“Do shohim protestë më të madhe. Planin e bëjnë ato dhe ua kemi lënë atyre. Përderisa është protestë paqësore dhe e lirë, është zëri i gjithë qytetarëve.”

 

© Panorama.al

Te lidhura