Ylli i kinemasë franceze, Isabelle Adjani, e cila u rigjykua sot në Paris për evazion fiskal dhe pastrim parash, është dënuar me 10 muaj burg me kusht dhe një gjobë prej 10 mijë eurosh.
Gjykata e Apelit në Paris e shpalli fajtore aktoren e filmit “Mbretëresha Margot”, por i vendosi një dënim dukshëm më të lehtë krahasuar me vendimin e shkallës së parë. Në dhjetor të vitit 2023, ajo ishte dënuar me dy vite burg me kusht dhe një gjobë prej 250 mijë eurosh.
“E gjithë kjo zhurmë për këtë çështje dhe në fund dënimi penal u ul ndjeshëm”, deklaroi David Lepidi, një nga avokatët e saj. Ai tha se, ndonëse është “i lehtësuar” nga vendimi, do t’i drejtohet Gjykatës së Kasacionit.
Aktorja 71-vjeçare, e nominuar dy herë për çmimin Oscar për filmat “The Story of Adèle H.” dhe “Camille Claudel”, u shpall fajtore për deklarim fiktiv të vendbanimit në Portugali gjatë viteve 2016 dhe 2017, për fshehjen e një huaje në vitin 2013, si edhe për transferimin e një shume parash në Shtetet e Bashkuara në vitin 2014.
Gjatë procesit gjyqësor, që nisi në muajin prill, aktorja, e cila ka deklaruar se vuan nga një “fobi ndaj burokracisë”, akuzoi një zyrtar tatimor se i kishte premtuar se do të “vendoste rregull” në çështjet e saj financiare.
“Premtime të rreme, si të gjithë grabitqarët që kam pasur fatin të takoj në jetën time“, u shpreh ajo, duke pretenduar se “po ndëshkohet sepse është mashtruar” dhe se “është fajtore vetëm sepse është viktimë”.
“Do të jem e sinqertë, nuk kam plotësuar kurrë një deklaratë tatimore. Dhe fatmirësisht, sepse do të kishte qenë një katastrofë”, tha Adjani, duke këmbëngulur se “nuk është hajdute”, por “një objektiv ideal” dhe “viktimë e mashtrimeve të njëpasnjëshme”.
Ajo shtoi se nuk është e aftë të organizojë një skemë mashtrimi fiskal.
“Jam e paaftë. Nuk di të bëj llogari dhe nuk më intereson të zotëroj asgjë”, deklaroi aktorja.
Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i shtetit francez, Ralph Boussier, argumentoi se ishte e qartë se Adjani ishte rezidente në Francë dhe vetëm herë pas here jetonte në Portugali.
“Një person, interesat kryesore të të cilit ndodhen në Francë, është i detyruar të paraqesë deklaratën tatimore në Francë”, u shpreh ai.
© Panorama.al












