Kryeministri Edi Rama ka reaguar pasi qytetarë dhe aktivistë dorëzuan këtë të mërkurë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) librin “The Albanian Files”, duke kërkuar nisjen e hetimeve dhe duke e cilësuar atë si “armën e krimit” të kreut të qeverisë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ironizoi veprimin e protestuesve, duke e quajtur librin “Libri i Mallkuar”, i cili, sipas tij “hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”.
“LIBRI I MALLKUAR së shpejti në ‘Adrion’, pasi sapo hyri sot në histori si i pari libër, që trajtohet si provë krimi 80 vjet pas rënies së nazizmit dhe 35 vjet pas rënies së komunizmit”, shkruan Rama.
Kujtojmë se protestuesit depozituan në SPAK librin “The Albanian Files”, duke pretenduar se ai përmbledh prova mbi atë që ata e konsiderojnë si afera korruptive të qeverisë.
Libri, i firmosur edhe nga protestuesit, përmban 523 projekte, të cilat, sipas tyre, janë të ndërtuara, në proces ndërtimi ose të planifikuara për t’u realizuar. Aktivistët i kërkuan SPAK-ut të hetojë përmbajtjen e tij dhe përgjegjësit e mundshëm për këto projekte.
“Në këtë libër gjenden 523 projekte, disa të ndërtuara, disa në ndërtim e sipër dhe disa të tjera në plan për tu ndërtuar. Në këtë libër del qartë se Rama ka shmangur konsultimin. Në këtë libër del qartë se ligji 21/24 është një ligj i miratuar për shkak të projekteve të ndryshme që gjendjen në këtë libër vite më parë se të ndryshohej ligji.
Ne jemi këtu për ti dhënë SPAK se ka mbështetjen tonë për veprimet e deritanishme. Ne nuk jemi për drejtësi popullore, por ne kërkojmë një shtet të së drejtës ku kryeministri të trajtohet dhe hetohet si të gjithë qytetarët. Kërkojmë drejtësi deri në fund dhe drejtësi për të gjithë pavarësisht pushtetit momental”, tha aktivistja Sidorela Vatnikaj.
© Panorama.al














