“Gjyqtarët s`kanë frikë nga heqja e imunitetit”

Apr 22, 2011 | 9:48

Kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë është shprehur dje pro heqjes së imunitetit për gjyqtarët. “Është hapi i duhur, madje mos të them i vonuar. S’ka një gjyqtar që lufton korrupsion, që jep drejtësi, të ketë frikë nga drejtësia. Nuk ka pse të mbrohet një gjyqtar, të ketë imunitet një gjyqtar. Fillimisht, madje, duhet të veprojë te gjyqtarët sepse unë presupozoj që jap drejtësi dhe ndërkohë duhet të mbrohem, të kem një guaskë, të ruhem nga drejtësia”. Kështu është shprehur kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Etleva Deda, në një intervistë për TV “Albanian Screen”. Duket se kjo deklaratë tregon më së miri se gjyqtarët janë të ndarë në dy qëndrime sa i përket heqjes së imunitetit.
Pak ditë më parë, kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, në Konferencën Gjyqësore kërkoi që çështja e imunitetit të mos përdorej si një shantazh për gjyqtarët. Ndërsa kreu i KLD-së, Kreshnik Spahiu, u deklarua pro heqjes së imunitetit të gjyqtarëve. Së fundi është edhe kryetarja e Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë, një nga institucionet më të vlerësuara në vend, e cila deklarohet pro heqjes apo kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve. Kufizimi i imunitetit të gjyqtarëve është një kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme, e paraqitur disa herë publikisht, por edhe në rrugë institucionale. Kjo kërkesë ka gjetur edhe mbështetjen e ekspertëve të huaj.

© Panorama.al

Te lidhura