GJIROKASTER – E parashikuar për të përfunduar dy vjet më parë, rruga nga Ura e Kardhiqit-Sarandë, ndodhet ende në fazat fillestare të saj. Ky aks i rëndësishëm do të mundësojë lidhjen e Gjirokastrës me Sarandën, duke shmangur Qafën e Muzinës. Ky fakt konfirmohet nga punonjës të firmës, të cilët nuk kanë dashur të identifikohen. Deri më tani nga të dy pjesët fillestare të rrugës nga ana e Gjirokastrës dhe nga ana e Sarandës, kanë nisur punimet, por gjithçka është lënë pezull për shumë arsye. Ende ka probleme që kanë të bëjnë me dëmshpërblimin e trojeve nga ana e firmës ndërtuese, sidomos në pjesën që përfshin komunën Cepo. Sipas kreut të kësaj njësie vendore, Dragush Logli, punimet nuk janë ndërprerë asnjëherë dhe ato vazhdojnë intensivisht. Por një fakt i tillë kundërshtohet nga banorë të zonës. Rruga është shtruar me asfalt deri në kilometrin e shtatë nga ura e Kardhiqit, ndërkohë që diçka më pak është shtruar prej Sarandës. Në ndryshim nga rruga ekzistuese nga Gjirokastra për në Sarandë që kalon nga Jorgucati e pasur mjaft me kthesa dhe terren të thyer malor, aksi i ri shkurton afro 30 km dhe vlerë kohore 41 minuta. Sipas drejtuesit teknik të projektit, Kultim Çela, rruga në fjalë do të hapë prioritet për të ardhmen e zonës, e cila do të zhvillohet si pjesë e turizmit. Nëse rruga Gjirokastër-Sarandë, e cila kalon në ekstremin jug-perëndimor të kufijve administrativ të dy rretheve me gjatësi 63 km përshkohet me një shpejtësi mesatare për 70 minuta, me ndërtimin e rrugës Ura e Kardhiqit-Sarandë, kjo vlerë kohore do të përgjysmohet. p.n











